Sali Berisha deklaroi se Serbia po shpopullon Luginën e Preshevës nga shqiptarët dhe synon të ripopullojë atë me refugjatë nga territore të tjera, jo vetëm të Ballkanit.
“Për këtë qëllim, në dhunim të ligjeve, kushtetutës dhe të gjitha konventave kombëtare, regjimi i Vuçiç ka zëvendësuar udhëheqësit vendorë legjitimë të shqiptarëve të Preshevës me vasalë të tij që arrijnë të marrin vetëm në një mbledhje mbi 50 e ca vendime të diktuara nga Beogradi”, deklaroi ish-Kryeministri.
Sipas Berishës, vendimet e Beogradit janë miratuar nga Edi Rama.
“Që është i angazhuar në një betejë për jetë e vdekje për ekzistencën e tij në mbrojtje të trafiqeve dhe aferave të tij skandaloze”, u shpreh ai.
Berisha përmendi edhe Kumanovën dhe vendimin e dhënë ndaj shqiptarëve në procesin gjyqësor.
“Forca albanofobike dënojnë me 750 vjet burg shqiptarët në procesin e Kumanovës, një proces i stisur tërëisht nga shërbimet sekrete të Shkupit, Beogradit dhe me siguri dhe ato ruse, me të cilin me ngjarjen tragjike të Kumanovës, albanofobët nuk kishin qëllim tjetër veçse të shpopullonin qytetin përjetësisht shqiptar të Kumanovës. Kam kërkuar dhe kërkoj hetim ndërkombëtarë për këtë”, thotë Berisha.
Ish-Kryministri akuzoi qeverinë për “zero interes kombëtar”.
“Qeveria e Edi Ramës ka shpallur zero konflikte me fqinjët, por në të vërtetë ka zero interes kombëtar. Kjo qeveri ka interes vetëm pasurimin e paligjshëm me çdo gjë të klikës në pushtet. Shqipëria, si asnjë vend tjetër është ngërthyer në bllokimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e trafiqeve”, deklaron Berisha.
Top Channel