Veterani i Argjentinës, Mascherano pretendon ende një vend në “Seleccion”

08/11/2017 10:27

Javier Mascherano nuk pranoi ta linte veten jashtë Kombëtares së Argjentinës për Botërorin e vitit 2018, pavarësisht se minutazhi i tij te Barcelona është reduktuar ndjeshëm, duke vënë në diskutim edhe vendin në përfaqësuese.

Lojtari me eksperiencë ka qenë titullar në vetëm 8 nga 18 ndeshjet e katalanasve në të gjitha kompeticionet, pasi tani në ekipin iberik favoritët në qendër janë Pique dhe Umtiti.

Por Mascherano la të kuptohet se mund të ikë nga Barcelona për të luajtur sërish në vendlindje.

“Vendimet që do të marr do të bazohen në fundin e këtij sezoni. Te Barcelona nuk jam duke luajtur me intensitet si më parë, por sidoqoftë jam gati dhe po rivalizoj. Çdo minutë në fushë e fitoj përmes stërvitjes, por në skuadër në rolin tim janë dhe dy futbollistë të tjerë shumë të mirë. Nuk e kam menduar ende rikthimin në Argjentinë, por do të shoh ofertat në fund”, tha Mascherano për televizionin “TyC Sports”.

Argjentina siguroi një vend në finalet e Botërorit vetëm në ndeshjen e fundit, e kombëtarja e trajnerit Sampaoli shpreson të fitojë trofeun që e la në “fotofinish” në finalen e madhe të humbur ndaj Gjermanisë në vitin 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA