“Spanja mund t’i lejojë referendumet në rajonet e saj”

08/11/2017 15:02

Spanja po merr në konsideratë ndryshime kushtetuese, të cilat do t’u lejojnë rajoneve të saj mbajtjen e referendumeve të pavarësisë në të ardhmen.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Alfonso Dastis i tha BBC-së se, mund të zhvillohet një votim mbarëkombëtar mbi këtë çështje.

“Ne kemi ngritur një komision në Parlament për të eksploruar mundësinë e amendimit të Kushtetutës, në mënyrë që ajo të përfaqësojë më mirë aspiratat e një pjese të njerëzve në Katalonjë”, tha Dastis. “Ne e dimë se ka një situatë politike që meriton të shqyrtohet me kujdes, por në çdo rast është e qartë se vendimi duhet të merret nga të gjithë spanjollët”.

Ai tha po ashtu se ndihej keq për njerëzit që ishin lënduar gjatë referendumit të ndaluar, muajin e kaluar, por tha se nuk kishte pasur përdorim jo proporcional force. Kjo duket se është një “degë ulliri” për mbështetësit e pavarësisë së Katalonjës, që po protestojnë në të gjithë rajonin.

Lëvizja e Madridit vjen në vazhdën e zhvillimeve të Katalonjës, që e zhytën vendin në krizën e tij më të thellë politike prej dekadash të tëra. Situata atje nuk është qetësuar ende.

Aktivistët pro pavarësisë bllokuan më herët rrugët kryesore dhe disa linja hekurudhore në Katalonjë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të udhëheqësve të shkarkuar. Transporti publik në Barcelonë u kufizua në shërbimet më minimale e nuk munguan ngërçet e trafikut, por pavarësisht vonesave të lëvizjes, dyqanet dhe bizneset e vazhduan punën si normalisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA