Eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake në Rusi pritet të arrijë në 15.3 miliardë dollarë në fund të vitit 2017.
Lajmin e ka komunikuar vetë presidenti Vladimir Putin në një takim me anëtarë të komisionit për bashkëpunimin ushtarak të Rusisë me vendet e tjera.
“Në bazë të të dhënave për periudhën janar-shtator të këtij viti, portofoli i porosive për bashkëpunimin ushtarako-teknik ka tejkaluar kuotën e 45 miliardë dollarëve amerikanë. Ndërsa në bazë të planit për 2017-n, eksportet pritet të arrijnë në 15.3 miliardë”, ka thënë Putin.
Sipas shefit të Kremlinit, stabiliteti ekonomik dhe financiar i industrisë së armatimeve është përforcuar ndjeshëm në vitet e fundit, ndërkohë që është avancuar edhe kapaciteti teknologjik i tyre.
“Bëhet fjalë për produkte ushtarake dhe teknologjike që synojnë mbrojtjen e civilëve. Në këtë drejtim do të doja të ritheksoja rëndësinë e diversifikimit të industrisë së armatimeve”, ka thënë Putin.
Krahas kësaj, ka vijuar presidenti rus, Rusia ka si prioritet sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global. “Rusia i zgjedh me kujdes homologët dhe mbikëqyr me kujdes përdorimin e armatimeve dhe pajisjeve që u shet klientëve të saj”, ka shtuar Putin.
Top Channel