Harvey Weinstein kishte punësuar një ushtri të vërtetë spiunësh, përfshi dhe ish-agjentë të MOSAD-it në përpjekje për t’i ndaluar akuzuesit të bënin publike pretendimet e tyre mbi ngacmimet dhe agresionet e tij seksuale.
“New York Reporter” thotë se, në mesin e agjencive private të sigurisë të pajtuara vjeshtën e vitit 2016 nga producenti i famshëm i “Hollywood”-it me origjinë hebreje, është edhe “Black Cube”, e drejtuar kryesisht nga ish-punonjës të agjencive izraelite të inteligjencës.
Lajmi vjen në kohën kur Akademia e Televizionit, përgjegjëse për çmimet “Emmy”, njoftoi se do ta përjashtonte përjetë 65-vjeçarin nga radhët e saj, pas një lëvizjeje të ngjashme të Akademisë së Filmit dhe Shkencave, organizatorja e çmimeve të mëdha “Oscar”.
Dy agjentë privatë të “Black Cube” janë takuar – sipas revistës amerikane, – me aktoren Rose McGoëan, përpara se ajo të deklaronte hapur se Weinstein e kishte përdhunuar. Ata ishin hequr si juristë të të drejtave të njeriut e shpresonin se, në këtë mënyrë, do t’i shkëpusnin ndonjë informacion.
Të njëjtën taktikë të identitetit të rremë e kanë përdorur edhe që të takonin një gazetare, para së cilës u hoqën sikur kishin gjoja një akuzë ndaj Weinstein. Qëllimi i këtyre përpjekjeve ishte të nxirrnin detaje mbi gratë që ankoheshin për manjatin e filmit.
Pretendohet se Weinstein dhe ekipi i tij kishin mbledhur informacione për dhjetëra njerëz e kishin krijuar profile psikologjike, duke i mbështetur te historitë e tyre personale apo ato seksuale, në mënyrë që ta kishin më të lehtë kundërshtimin, frikësimin apo diskreditimin e personave të vendosur në shënjestër.
Weinstein vazhdon t’i mohojë akuzat e marrëdhënieve intime jokonsensuale. Një zëdhënës i tij tha për “The New Yorker” se, producenti nuk është hakmarrë kurrë me femrat që e kanë refuzuar, e se supozimet që ai ka vënë në shënjestër ndonjë individ të caktuar janë fantazi e pastër.
Top Channel