Pirlo, “arkitekti” që la pas një trashëgimi të bukur dhe vizionare

07/11/2017 12:07

Andrea Pirlo largohet, por duke lënë pas një trashëgimi të ndërtuar mbi të bukurën dhe vizionin. “Arkitekti”, njëri prej pseudonimeve të marra gjatë karrierës së pasur futbollistike, do të mbahet mend mbi të gjitha për aftësitë për të krijuar dhe perceptuar njëkohësisht në një shkallë të atillë, sa mund ta kenë vetëm disa “të përzgjedhur” të të mëdhenjve të botës së futbollit.

“Mendoj se unë luaj” është titulli i biografisë së tij dhe, më të përshtatshme zor se mund të gjeje. Një futbollist me intelekt dhe zgjuarsi të paparë, ai ishte i pajisur edhe me një vizion dhe vlerësim kohor e hapësinor, saqë e detyruan Pep Guardiolën dhe Xavin ta kërkonin te Barcelona, ndërsa Brazili do të donte që ai të ishte brazilian.

Vizioni i tij të kujton një nga deklaratat e ish-trajnerit të Romës dhe Sampdorias, Vujadin Boskov. “Lojtarët më të mirë, – do të thoshte ai, – janë ata që shohin autostrada aty ku të tjerët shohin vetëm gjurmë këmbësh”.

Carlo Ancelotti do ta përforconte edhe më tej. “Pirlo të jepte pasimin në të qindtat e sekondës, që lojtarë të tjerë mund të kalojnë një jetë të tërë në kërkim të atij pasimi dhe mund të mos e gjejnë”.

E pikërisht ai fragment sekondi ishte çelësi i suksesit të “arkitektit”. Ai i kapte në befasi mbrojtësit, duke i nxjerrë jashtë kohe apo jashtë pozicioni, qoftë edhe sikur të ishin më të shpejtët në botë.

Piro, ashtu siç bëjnë mjeshtrat e mëdhenj të shahut, ishte gjithmonë 3 apo 4 lëvizje përpara. Ai ishte i ngjashëm dhe ekzaktësisht siç Jorge Valdano do të përshkruante Zinedine Zidane, një “falso lento”, apo një “ngadalësi false”. Mungesa e shpejtësisë për të vepruar, tek ai ishte thjesht një mashtrim. Ai e mbante gjithnjë kokën lart dhe vepronte si të ishte një Ferrari.

Ai iu shpëtonte markuesve me lëvizje tejet të zgjuara, shpesh duke përshkuar distanca shumë më të gjata sesa kushdo tjetër në fushë, jo me intensitet, por me inteligjencë. Të gjithë kundërshtarët e dinin se ekipet ku ka luajtur ai mbështeteshin pikërisht tek ai. Atëherë mendonin se “duke ndalur Pirlon, do të asgjësonin Milanin, Juventusin, apo do të shembnin Italinë”, por shumë pak ia dolën.

Italia, e njohur edhe si “bel paese” (vendi i bukurive) u mishërua më së miri te futbolli i shfaqur prej tij. Pati stil, elegancë, sensin e shpikjeve, një dizajni të madh, ndjekjes së të bukurës dhe sigurisht art. Ai ishte një Michelangelo që “pikturonte” me këmbët e tij. Ai njihej edhe si “regjisor” në Itali, pikërisht si një regjisor filmash që vë në jetë skenarët e ndryshëm me përpikmëri të madhe.

Ndryshimi i pozicionit të tij, nga fantazist prapa sulmuesit në organizator përpara mbrojtjes, një intuitë e ish-trajnerit të Brescias, Carlo Mazzone, jo vetëm që ndryshoi kursin e karrierës së Pirlos, por edhe historinë moderne të futbollit italian gjithashtu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA