Delinda Zhupa: Ju rrëfej prapaskenat e “Portokalli”

07/11/2017 17:17

Ajo është shfaqur në spektaklin më të madh të humorit me personazhe të ndryshme. Më i spikaturi ka qenë ai i drejtoreshës së dikurshme të Tatimeve, i ndjekur nga ai i gruas së çiftit të famshëm.

Këtë sezon të “Portokalli” aktorja Delinda Zhupa ka ardhur me një karakter të ri, për të cilin ka treguar në takimin e kësaj të marte të emisionit “Pop Culture” në Top Channel.

Por ajo nuk është ndalur me kaq! Aktorja ka rrëfyer edhe prapaskenat e spektaklit të humorit, konkurrencën, por edhe vështirësitë që hasin artistët në botën shqiptare të artit.

Delinda, mirëseerdhe! Si ka nisur ky sezon i ri i “Portokalli”?

Delinda Zhupa: “Portokalli” filloi mirë. Këtë sezon jam me një personazh të ri, psikologen. Një tjetër personazh është Fotinia, që e interpretoj me Gazin. Po eci mirë.

Dikur bëje drejtoreshën e Tatimeve, e ke shoqe?

Delinda Zhupa: Jo, vetëm një herë e kam takuar. Pastaj kam folur edhe në telefon me të.

Të ka thënë gjë, përse më imitove ashtu, apo diçka tjetër?

Delinda Zhupa: Jo.

I krijon vetë personazhet, apo frymëzohesh nga dikush?

Delinda Zhupa: Arti për mua ka arritur në një pikë ku ka ikur koha e revolucioneve, e shpikjeve, por çdo artist merr spunto nga diku. Unë e kam marrë nga këto misset që dilnin dhe nuk dinin të thoshin asnjë gjë. Mendoj se çdo njeri duhet të ketë një bagazh të caktuar, sepse secili nga ne shfaqet në profilin e vetë kur del në televizor.

Ku e ke marrë spunton për bashkëshorten e çiftit?

Delinda Zhupa: Ka qenë ide e kolegëve dhe duket se ka pasur shumë impakt sepse njerëzit më thonë ‘kur do të dalë cifti?!’.

Si është aktrimi në “Portokalli” dhe raporti i aktorit me publikun?

Delinda Zhupa: Kur përgatitet “Portokalli” ka edhe shumë gjëra që ndodhin në prova, që po të xhiroheshin do të dilte një “Portokalli” tjetër. Pastaj ka raste kur në shfaqje aktori bëhet njësh me publikun.

Po raportet e aktorëve me aktorët, ka konkurrencë?

Delinda Zhupa: Bota e artit konkurrencën e ka të parën, sepse ndryshe nuk do të arriheshin këto nivele. Por nuk është një konkurrencë negative, nuk besoj. Mendoj se janë të kënaqur të gjithë, ndaj dhe “Portokalli” shkon përpara.

Delinda ti je tashmë nënë, si vendosët për emrin e djalit tuaj?

Delinda Zhupa: Doja një emër shqiptar. Emri i djalit tim është Desantin, udhëheqës i Dardanisë.

A ke një aktor shqiptar të preferuar?

Delinda Zhupa: Janë disa. Tinka Kurti, Hajrie Rondo, Margarita Xhepa janë aktore që nuk i vijnë më ekranit dhe publikut shqiptar. Ato kanë lënë një shkollë shumë të mirë dhe janë pikë referimi.

Ti interpreton edhe në teatër, si janë pagesat në botën e aktrimit?

Delinda Zhupa: Artistët kanë paga qesharake në teatër. Mund të bësh 25 shfaqe, që është skrapacuese, dhe në fund merr një shifër qesharake.

Delinda, faleminderit që ishe sot me ne.

Delinda Zhupa: Faleminderit juve për ftesën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA