“Thatësira” e CR7, Zidane: Portugezi dha asistin te goli i Iscos

06/11/2017 14:18

Pas humbjeve me Gironën në kampionat dhe Tottenhemin në Champions League, Reali i Madridit u kthye te fitorja.

Në “Santiago Bernabeu”, skuadra madrilene fitoi me lehtësi ndaj Las Palmasit 3-0. Ajo që të bie në sy në këtë rezultat është se, në listën e golashënuesve të ndeshjes nuk figuron emri i Cristiano Ronaldos, i cili vazhdon të hasë vështirësi të mëdha në këtë aspekt, përsa i përket kampionatit.

Megjithatë, kjo duket se nuk e shqetëson shumë trajnerin e kampionëve të Spanjës dhe Europës, Zinedine Zidane, i cili vlerësoi lojën e portugezit, sidomos për pasimin që iu dha Iscos në momentin e shënimit të golit të tretë.

“Ju gjithnjë mendoni vetëm për anët negative, kurse unë për ato pozitive”, iu drejtua Zidane gazetarëve. “Cristiano dha pasimin e fundit për golin e Iscos. Ndoshta ju nuk e shikoni këtë, sepse prisni diçka tjetër, por ai ishte i kënaqur që dha këtë asist. Të gjithë e dimë që Ronaldos i pëlqen të shënojë dhe ai është më i lumtur kur e bën këtë. Kjo është e vërtetë dhe çdokush është i bindur se ai do të bëjë diferencën në çdo ndeshje. Në këtë moment në La Liga, ai nuk po e bën këtë me gola, por ai po bën edhe gjëra të tjera të mira”.

Reali i Madridit, pas 11 javëve në kampionat ndodhet në vendin e tretë të renditjes, me 23 pikë, 4 më pak sesa Valencia dhe 8 më pak sesa Barcelona kryesuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA