Devin Patrick Kelley ishte shkarkuar nga forcat ajrore, pas gjyqit ushtarak për keqtrajtimin e së shoqes dhe fëmijës së saj.
Aq fort e kishte goditur djalin foshnjë të bashkëshortes së tij, sa i kishte krisur kafkën e mund ta kishte vrarë.
Por dënimi i 26-vjeçarit për dhunë në familje nuk ishte regjistruar në bazën kombëtare të të dhënave, gjë që do t’ia ndalonte atij blerjen apo zotërimin e armëve të zjarrit.
Jo më larg se vitin e kaluar, ai bleu pushkën gjysmëautomatike të përdorur për sulmin më vdekjeprurës në masë, që Teksasi kishte parë ndonjëherë.
Shërbimin ushtarak, Kelley e pati lënë majin e vitit 2014. Detajet e reja mbi personalitetin e vrasësit tregojnë se ai ishte një njeri tallës, me shpërthime të forta dhune dhe një interes shqetësues për vajzat adoleshente.
As martesa e dytë nuk i zgjati shumë dhe Kelley, siç mësohet tani, kishte marrëdhënie të këqija me vjehrrën, Michelle Shields, e cila ishte anëtare e kishës baptiste të “Sutherland Springs”, skena e masakrës së të dielës.
I riu nuk e fshihte zemërimin kundër saj e i dërgonte mesazhe kërcënuese. Michele nuk u gjet aty në momentin e sulmit, por e ëma e moshuar e saj, Lula Woicinski White është në mesin e viktimave. 26-vjeçari vdiq nga një plagë e shkaktuar vet, pasi disa qytetarë të armatosur të zonës iu vunë në ndjekje dhe e kishin plagosur në gjoks e në këmbë.
Pak përpara se të shkrepte këmbëzën, ai i kishte telefonuar të atit për t’i thënë se nuk mendonte që do të dilte i gjallë nga ajo mesele.
Top Channel