Më shumë se 130 emra greke ose të interesave greke shfaqen në rrjedhjen e re të përmasave botërore në skandalin e kompanive offshore të çështjes “Paradise Papers” ku janë zbuluar përsëri mënyrat e fitimit dhe të fshehjes së parave në parajsa fiskale nga shumë të pasur e të fuqishëm në botë.
Përveç emrave që u bënë të njohur në 24 orët e fundit nga skena politike botërore, sipas gazetës greke Ethnos që ka pasur akses në këto dokumente, midis këtyre emrave shquhen edhe qytetarë greke që kanë lidhje të ngushta me politikanët vendas, një numër i madh pronaresh anijesh, si dhe disa bankiere të fuqishëm të vendit.
Gjithashtu janë zbuluar kompani offshore të cilat kanë marrë madje kredi nga bankat greke, si dhe greke që kanë qenë nën hetimin e organeve të tatim-taksës për evazion fiskal. Në rrjedhjen e informacioneve nga Appleby u identifikuan 252 adresa komunikimi të këtyre personave që lidhen me kompanitë offshore, të cilët ndodhen gjeografikisht në Athinë dhe Pire.
Zonat kryesore të kontakteve që shfaqen në këto dokumente janë lagjet e pasura të Athinës si Hekali, Politia, Neo dhe Palio Faliro, Marousi, Agjia Paraskevi, Glifadha, Kifisa, Vouliagmeni etj.
Në më shumë se 13,4 milionë arkiva financiare të zbuluara, rreth 6000 prej tyre përmendin fjalën Greqi. Bëhet fjalë për të dhëna që vijnë nga Appleby, një ofrues shërbimi offshore me bazë në Bermuda, që përmbajnë llogari offshore të emrave të fuqishëm, të politikes, biznesit e artit nga 47 vende të botës.
Në pritje të zbardhjes së këtyre emrave, sidomos për ato me interes për Greqinë, zv/presidenti i PE Dhimitris Papadhimoulis ka kërkuar nga Komisioni Europian të publikojë të dhënat për dëmin që ka pësuar ekonomia e eurozonës nga përmasat e këtij evazioni fiskal dhe të marrë masa akoma më të rrepta përsa i përket politikave monetare të Unionit.
Top Channel