47 dosje hetimore nën hetim në Prokurorinë e Tiranës janë mbyllur për dy muaj sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që për herë të parë sugjeron në drejtësi dënimin nga prokurori të të dyshuarve me marrëveshje fajësie dhe me urdhër penal.
Risia në Kod parashikohet të sjellë mbyllje të shpejtë të hetimeve për një sërë dosjesh si edhe mos zvarritjen e qytetarëve në gjykatë, një ngërç ky i evidentuar në gjyqësorin shqiptar.
Dosjet e përfunduara brenda një afati të shkurtër përfshijnë të akuzuar për vepra penale që parashikojnë dënimin deri në 7 vjet burgim kryesisht për drejtim mjeti në gjendje të parregullt, fshehje e të ardhurave, ndërtim i paligjshëm, kallëzim i rremë dhe vjedhje.
Gjithashtu me procedurë të përshpejtuar, siç shprehin ndryshimet e reja, janë mbyllur me urdhër penal edhe dosje për kundërvajtje që nga shpifja deri tek plagosja e lehtë.
Sipas ndryshimeve, marrëveshja e fajësisë firmoset gjatë hetimeve dhe i dyshuari bie dakord që të mos gjykohet duke u shpallur fajtor nga Prokurori.
Megjithatë, siç vërehet në Gjykatën e Tiranës përballë kërkesave në rritje nga akuza, gjyqësori duket se po përpiqet ta ruajë për vete ekskluzivitetin e shpalljes së vendimeve.
Nga një vëzhgim i Top Channel vërehet se Gjykata e Tiranës gjatë seancës për miratim marrëveshjeve dhe urdhrit penal ka kthyer pas 20 vendime të Prokurorisë.
Argumenti kryesor është se gjyqtarët nuk bien dakord me masën e dënimit të dhënë nga prokurori dhe të pranuar edhe nga i pandehuri.
Ky qëndrim i gjyqësorit shënon përplasjen e parë brenda vetë pushtetit të tretë pas ndryshimeve të reformës në drejtësi.
Kur mbërrijnë në divorc çiftet përplasen gjithmonë para gjykatës për fëmijët, pronën dhe pensionin ushqimor.
Nga 808 martesa të zgjidhura në gjykatë nga 1 janari deri në fillim të nëntorit, për shumicën e tyre, përveç seancës së detyrueshme të pajtimit është kërkuar nga gjyqtarët edhe ndërmjetësimi.
Drita Avdyli sapo ka asistuar në një seancë të tillë.
“Çifti kishte probleme për pronën. Ne na i referoi rastin gjykata dhe e zgjidhëm. U ra dakord që burri të ikte nga shtëpia dhe si dëmshpërblim do t’i jepej një shumë lekësh e caktuar”, thotë ndërmjetësuesja.
Në datën 1 nëntor kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, që e konsiderojnë ndërmjetësimin si hallkë detyruese në gjykatë.
Është kjo arsyeja pse gjykatat kanë afishuar edhe listën me ndërmjetësues, të cilët do të asistojnë për zgjidhje mosmarrëveshje jo vetëm civile e tregtare, por edhe penale sikurse është shpifja.
“Pas ndryshimeve të 1 nëntorit ne presim që të ketë shfryrje në gjykatë dhe pse jo edhe rënie të korrupsionit”, tregon Avdyli.
Top Channel