Planet e administratës Trump për të promovuar qymyrin si zgjidhje ndaj ndryshime klimaterike gjatë një takimi të rëndësishëm të OKB, kanë zemëruar ambientalistët. Një këshilltar i presidentit pritet të marrë pjesë në prezantimin e planit pro qymyrit në takimin e zhvilluar në Bonn e që njihet zyrtarisht si COP23.
Mëvetësisht një grup guvernatorësh amerikanë do të thonë se Shtetet e Bashkuara janë ende të përkushtuara për aksion në mbrojtje të klimës, pavarësisht vendimit të Donald Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit.
Kjo do të jetë mbledhja e parë e negociatorëve për klimën që kur kreu i Shtëpisë së Bardhë u zotua të tërhiqte SHBA-në nga traktati i nënshkruar në kryeqytetin francez. Gjithsesi Shtetet e Bashkuara nuk mund të shkëputen nga marrëveshja deri në 2020, kështu do të dërgojnë një ekip negociatorësh në takimin që nis të hënën.
Mbi bazë të raportimeve ata do të mbështesin karburantet fosile dhe energjinë bërthamore si zgjidhje për ndryshimet klimaterike. Kjo u parapri edhe nga një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë që tha në prag të bisedimeve se përdorimi i këtyre karburanteve ishte i pamohueshëm në të ardhmen e afërme, prandaj fokusi kryesor sipas tij duhet të ishte tek përmirësimi i cilësisë së karburanteve.
Por mundësia që industritë e karburantit fosil të promovohen në takimin e Bonit është ndeshur me kritikat e ashpra të pjesëmarrësve të tjerë.
Andrew Norton nga Instituti Ndërkombëtar për ambientin dhe zhvillimin tha se pretendimet se karburantet fosile mund të kenë ndonjë rol në luftën kundër ndryshimeve klimaterike janë përtej absurdes.
Top Channel