Ivica Daçiç këmbëngul se Serbia duhet të shohë më së pari interesat e saj, e në këtë prizëm, duhet ta vazhdojë politikën e ecjes mes Rusisë dhe Perëndimit.
Në një intervistë për agjensinë e lajmeve Reuters, shefi i diplomacisë serbe tregoi se Beogradi nuk ka ndërmend të sakrifikojë marrëdhëniet me aleaten e tij të hershme Moskës, në këmbim të marrëdhënieve më të ngrohta me SHBA e BE-. Duke iu referuar komenteve të Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, Daçiç tha: “Kur dikush na kërkon të mos ulemi në dy karrige, atëherë ai po përpiqet të na heqë karrigen që ne të rrëzohemi.
Për këtë arsye mendoj se nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj kritike. Është me rëndësi që t’i përmbahemi interesit tonë kombëtar. Beogradi, sipas tij, do të vazhdojë aleancën e ekuilibruar me Perëndimin, Rusinë dhe Kinën. Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i Serbisë dhe investitori kryesor i saj, ndërsa Rusia nga ana tjetër mbetet furnizuese numër një i vendit me naftë dhe gaz natyror. Përpos kësaj, Moska ka dhe marrëdhënie të ngushta ushtarake me serbët, të cilëve tani vonë i dhuroi 6 avionë luftarakë MiG-29.
Kundërshtia e ashpër që i bën ajo anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara të cilin e ka bllokuar vazhdimisht, i vjen gjithashtu për shtat Beogradit. Më herët, duke bërë një krahasim çështjes së Kosovës dhe asaj të Katalonjës në Spanjë, ministri i Jashtëm serb ishte shprehur se “nëse Spanja mund të luftojë për të mbrojtur veten, atëherë dhe serbët mund të luftojnë për vendin e tyre”.
Top Channel