Gjykata e Elbasanit, mëngjesin e kësaj të shtune, vendosi të lërë në burg te riun e kapur pak ditë më parë me 863 mijë euro dhe dy patenta për drejtim të mjeteve lundruese në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

Gjatë seancës gjyqësore, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se ndaj te riut janë ngritur akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe fshehje e të ardhurave, që kanë të bëjnë me shumën e konsiderueshme të eurove që i janë gjetur. Gjithashtu, ai akuzohet për mosbindje të punonjësit të policisë, pasi ka tentuar të largohet për t’iu shmangur kontrollit të policisë si dhe drejtim mjeti pa dëshminë përkatëse.

25-vjeçari e ka justifikuar shumën e 863 mijë eurove si pagesë që duhet të bënte për blerje hekuri pranë kompanise “Kurum”. Ndërsa për dy patentat në emër të Saimir Tahirit, ai tha se ato mund të jenë lënë aty nga shoferi i Tahirit me të cilin ka miqësi. Ndërsa ka deklaruar se nuk ka patur kontakt me Saimir Tahirin dhe se e njeh thjesht si ish-ministër dhe deputet, Prokuroria e Elbasanit nisi verifikimet mbi aktivitetin e tij dhe nëse mund të justifikojë shumën që i është gjetur.

Burime pranë Prokurorisë së Elbasanit janë shprehur për Top Channel se policia ka bërë vetë numërimin e parave, duke shtuar gjurmët e gishtave që mund të identifikoheshin në kartëmonedhat e sekuestruara.

Drejtuesi i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, pasditen e së shtunës foli për ngjarjen duke thënë se policia nuk ka fshehur asnjë gjë.

“Çdo material që është sekuestruar në mjet, siç është edhe rasti i lejes së drejtimit lundrues i është referuar prokurorisë. Nuk është se ka fshehur policia, por referimi është bërë për tre veprat penale, sepse gjetja e një lejeje drejtimi nuk është vepër penale. Për shkak të vlerës së madhe financiare, ka dashur kohë këqyrja dhe numërimi dhe normalisht materialet do të mbërrinin në mëngjes në Prokurori, por prokuroria është njoftua menjëherë që është gjetur vlera monetare”, thotë drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato.

Hetimi për paratë e gjetura pritet t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sepse Prokuroria e Elbasanit nuk ka kompetencën për të zhvilluar hetimin pasuror dhe për të verifikuar mënyrën sesi ka gjeneruar 863 mijë euro kesh të pashoqëruar me asnjë faturë apo mandat.

Në emër te te riut në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është shoqëria Eco Contruction and Partners, e hapur më 6 shkurt të vitit 2015 dhe një ndër punët e para të saj ka qenë rikonstruksioni i Komisariatit numër gjashtë në kryeqytet.

Tahiri, pikëpyetje të reja! Të dhënat e rastit të dytë rëndojnë edhe mbi qeverinë

Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë, pikë së pari policinë. Ajo vërtet publikoi lajmin, por në deklaratën për shtyp ajo nuk flet për dy dokumentet e ish-ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu, nëse është e vërtetë se policët kanë numëruar paratë, duke shtuar gjurmët, kjo do të thotë minimalisht prishje e provave.

Me qëllim apo jo, këtë duhet ta verifikojë Prokuroria. E treta, përse Policia ka ndaluar personin në fjalë? A ka pasur të dhëna apo ka qenë rastësore? Nëse ka pasur të dhëna dhe sërish kryhen veprimet gabim, kjo e rëndon edhe më shumë punën e policisë.

Sigurisht që kjo ngjarje ka edhe pasoja politike. Kjo ndihet në faktin që ky erdhi si denoncim politik nga opozita, së cilës i besoi qytetari për të dhënë informacionin. Por jo vetëm kaq.

Kur ende nuk ishte mbyllur zhurma politike e dosjes “Habilaj”, duke se ky kapitull i ri ku përmendet ish-ministri i Brendshëm vë në pozitë jokomode mazhorancën.

Së pari për mënyrën sesi policia menaxhoi ngjarjen, ajo lë perceptimin se mund të ketë qenë nën një trysni politike. E nëse në rastin “Habilaj” mazhoranca mund të argumentonte se bëhej fjalë për të shkuarën, rasti i Elbasanit implikon të tashmen, kur zoti Tahiri është prej javësh person nën hetim dhe mazhoranca formalisht u distancua prej tij.

Së dyti, nëse në rastin “Habilaj” të dhënat ndaj Tahirit janë deri tani të debatueshme, prania e dokumenteve personale të ish-ministrit të Brendshëm në makinën e një personi që kapet me 800 mijë euro të padeklaruara, dhe që në biznesin e tij ka vetëm rindërtim komisariatesh, i bën këto të dhëna shumë më shqetësuese sesa ato në rastin “Habilaj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA