Valencia do të përjetojë një festë të madhe fundjavën e ardhshme. Pista “Ricardo Tormo” do të jetë vendi ku do të përcaktohet kampioni i botës në “MotoGP” për vitin 2017.
Marc Marquez është favoriti kryesor, pasi ka një diferencë prej 21 pikësh ndaj ndjekësit të tij, Andrea Diovizioso, megjithatë në këtë garë mund të ndodhë gjithçka.
Interesi në Spanjë është shumë i madh dhe këtë e tregon fakti që janë shitur të gjitha biletat e tribunës, që do të thotë se gara e fundit e Botërorit të “MotoGP” do të ndiqet nga 110 mijë shikues.
Kjo do të jetë hera e katërt, që Valencia shndërrohet në garën përcaktuese për titullin bptëror në “MotoGP”, pas atyre në vitet 2006, 2013 dhe 2015.
Organizatorët e kësaj gare kanë garantuar emocione dhe spektakël në këtë garë të fundit të sezonit, madje kanë prezantuar edhe një aplikacion të ri për të gjithë adhuruesit e këtij kampionati, që do t’u japë mundësinë atyre të marrin të rejat më të fundit, të dëgjojnë transmetimin e folësve të pistës, apo edhe lajme të tjera te detajuara rreth pistës.
Kategoria “MotoGP” është e vetmja, e cila nuk e ka përcaktuar kampionin e botës. Në “Moto2” dhe “Moto3” fituesit tashmë dihen, e janë respektivisht Franco Morbidelli e Joan Mir.
Top Channel