Pyll rreth Tiranës, Veliaj: Çdo vit mbjellim 50 mijë pemë

04/11/2017 12:43

Gjurma e “Pyllit orbital” që do të rrethojë Tiranën ka nisur të krijohet. Janë mbjellë 100 rrape në unazën e madhe, të cilat u dhuruan nga donatorët pas thirrjes së kryetarit të Bashkisë se, kushdo ka një makinë mund të dhurojë dy pemë për të ulur ndotjen që i shkakton qytetit.

“U jam shumë mirënjohës sot, të gjithë kolegëve që po na ndihmojnë me mbjelljen e 100 rrapeve në gjurmën e Unazës së Madhe të Tiranës, që në fakt do të jetë edhe gjurma e ‘Pyllit Obital’, që do të rrethojë qytetin. Siç e shikoni, vetëm në bregun jugor të Liqenit, përpara dy vitesh diskutohej me sherr dhe me histeri, pse po pastrohej ai vend nga ndotja dhe nga pikat e grumbullimit, apo djegia e plehrave. Ja që ishte një vendim i drejtë, sot kemi fituar një minipyll”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i bashkisë parashikon që këtë vit të mbillen mbi 50 mijë pemë.

“Me këtë frymë do të vazhdojmë të thyejmë edhe rekordin tonë të 50 mijë pemëve në vit. Kur të mbarojë stina e mbjelljeve në pranverë, me këto ritme besoj se do të kemi mbi 100 mijë pemë të mbjella në Tiranë, përpara se të fillojmë masivisht pastaj me ‘Pyllin Orbital’”, tha më tej Veliaj.

Veliaj nuk heziton të përsërisë thirrjen për këdo për të dhuruar pemë.

“Në qoftë se një milion vetë mbjellin nga një pemë, një milion pemë mund ta ndryshojnë Tiranën. Përpara se të kërkojmë përgjegjësi kolektive, secili njëherë merr përgjegjësinë individuale. Ndaj, më vjen mirë që shumë kompani i janë bashkuar thirrjes tonë. Pothuajse çdo ditë të javës kemi pasur mbjellje dhe dua t’i ftoj edhe kompanitë e tjera, që ta ndjekin këtë shembull. Secila kompani që ka një numër makinash mjafton që të mbjellë dyfishin e atij numri në pemë, për t’u ndierë edhe në ndërgjegje të pastër, sepse ka zeruar të gjithë impaktin që ky ka në mjedis me ndotjen, apo me gazrat që lëshojnë mjetet”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA