Guardia di Finanza konfirmoi uljen drastike të kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Raporti i misionit të monitorimit ajror për vitin 2017-të u prezantua në prani edhe të ministrit të Brendshëm italian, Marco Minniti, i cili ndodhej në Tiranë në një vizitë zyrtare.

“Në këtë vit kemi kryer fluturime në 23.77% të territorit shqiptar në zona me risk ku mund të kultivohej kanabis. Kemi kryer 53 misione ajrore ose e thënë ndryshe 129 orë fluturimi. Në 2016-ën konstatuan rreth 2 mijë plantacione me më shumë se 700 mijë rrënjë ndërsa për 2017-ën, pra këtë vit janë konstatuar 88 plantacione me rreth 5 mijë rrënjë. Reduktimi është i dukshëm”, tha Stefano Skrepanti, shef i  repartit 3 të Guardia di Finanza.

Zyrtarët e lartë italianë vlerësuan bashkëpunimin me homologët shqiptarë, si dhe raportuan edhe për rritjen e sasisë së kanabisit shqiptar të sekuestruar në operacione të përbashkëta.

“Ushtarakët tanë këtu në Shqipëri bashkëpunojnë shumë mirë me policinë shqiptare. Operacionet tona në det kanë dhënë rezultate konkrete të cilat duhen vlerësuar. Vjet sekuestruam 22 tonë kanabis, ndërsa për këtë vit kemi rreth 33 ton, 66 % më shumë”, u shpreh Giorgo Toschi, komandant, Guardia di Finanza.

Ministri i Brendshëm italian, Marko Minniti foli me superlativa për ndyshimin e Shqipërisë, jo vetëm në aspektin e imazhit, por nga ana tjetër kërkoi goditjen e atyre, që sipas tij, quhen të paprekshëm.

“Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë këto trafiqe. Duhet të godasim të ashtuquajturit “të paprekshëm”. Sepse në Europë, në Shqipëri, në Itali, nuk ka të paprekshëm. Nëse do duhet t’ju thosha me sinqeritetin e plotë, në atë rrugë që më solli këtu nga aeroporti në qendër të Tiranës, se cilat ishin ndjesitë e mia kur kalova, ishin ato të një emocioni të jashtëzakonshëm. Tirana dhe Shqipëria ka ndryshuar shumë; ua thotë një njeri i cili ka qenë këtu kur ju ishit të rinj fare, ka ndryshuar shumë. Ka ndryshuar sigurisht për mirë”, tha ai.

Pas fjalës së homologut italian, Fatmir Xhafaj u zotua se grupet kriminale nuk do të “gjejnë shpëtim”.

“Beteja vazhdon edhe më e fortë, tashmë me ata që e kanë financuar dhe organizuar këtë biznes kriminal me grupet kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe drogës në përgjithësi. Nuk është nje betejë e lehtë. Ajo nuk bëhet as për një ditë e as për një muaj! Rezultatet e para janë premtuese. Jemi të vendosur t’i ndjekim hap pas hapi ata dhe të ardhurat e tyre kriminale”, deklaroi Xhafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA