Epidemia e Ebolës, Kryqi i Kuq: U vodhën miliona parà

03/11/2017 17:48

Kryqi i Kuq konfirmoi se, më shumë se 5 milionë dollarë nga fondet për ndihma u zhdukën për shkak të mashtrimeve dhe korrupsionit gjatë epidemisë së Ebolas në Afrikën Perëndimore.

Auditorët zbuluan se paratë u përvetësuan përmes pajimeve me çmim të fryrë, pagave për punëtorë që nuk ekzistonin, si dhe fatura të rreme doganash.

Sëmundja e Ebolas, e cila shpërtheu në Afrikën Perëndimore nga viti 2014 deri në 2016-n, i kushtoi jetën më shumë se 10 mijë njerëzve. Për ta ndaluar atë u organizua një operacion kolosal humanitar, që kushtoi qindra milionë dollarë.

Ndërsa Ebola përhapej në Liberi, Sierra Leone dhe Guine, Federata e Kryqit të Kuq në Gjenevë financonte me shuma të mëdha shoqëritë kombëtare të Kryqit të Kuq në këto vende, shifra që në total kaluan 100 milionë dollarë.

Hetimi i auditorëve të Kryqit të Kuq në Liberi zbuloi se 2.7 milionë dollarë u zhdukën si pasojë e rritjes fiktive të çmimit të pajisjeve apo pagave për njerëz që nuk ekzistonin.

Në Sierra Leone, stafi i Kryqit të Kuq lokal bashkëpunoi me bankat për të vjedhur mbi dy milionë dollarë, ndërsa në Guine, mbi një milion të tjera u zhdukën përmes faturave të rreme doganore.

Kryqi i Kuq njoftoi se i vjen shumë keq për këtë që ka ndodhur, e se do të marrë masa që të mos përsëritet. Por ekspertët thonë se, vjedhja e parave të donatorëve është makthi më i madh i çdo agjencie humanitare dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta eliminuar plotësisht si fenomen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA