Shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi” po rindërtohet, pas hapjes së pesë shkollave këtë vit, tre prej të cilave të reja.
Ndërtimi i asaj që njihet ndryshe dhe si shkolla e muzikës nis nga themelet, duke e çuar në katër numrin e shkollave që janë në proces rindërtimi këtë vit.
“Sapo kemi filluar punën për ndoshta shkollën më të bukur në Tiranë. Një projekt fantastik në zonën e Selvisë, që e kthen shkollën “Servete Maçi” në një kantier ndërtimi. Ka nisur prishja e shkollës së vjetër, një shkollë, e cila është themeluar si Shkolla e Vashave në vitin 1916; pra, pas 101 vjetësh rrëzohet e vjetra për të krijuar të renë, për ta kaluar të gjithë shkollën vetëm me një turn dhe për të përfituar një hapësirë, i cili do të mirëpresë një pafundësi talentesh që vijnë në shkollën e muzikës”, tha Veliaj.
Ndërkohë, paralelisht me këto katër shkolla, Veliaj bëri të ditur se këtë vit do të nisë edhe zbatimi i projektit të ndërtimit të 16 shkollave në partneritet me sipërmarrësit privatë, që do t’i japë fund përfundimisht problemit të mësimit me dy turne në Tiranë.
“Ne fillojmë garën brenda këtij viti për 16 shkolla të tjera dhe them se kemi kaluar nga një situatë ku nuk ishte ndërtuar asnjë shkollë në 4 vjet, në një situatë ku po ndërtohen nga 4 shkolla në vit. Besoj se po të vazhdojmë me këtë ritëm, çdo ditë një punë konkrete për Tiranën, jo vetëm do kemi zgjidhur problemin e mësimit me dy turne, por do e kemi afruar Tiranën tek qyteti i ëndrrave që duam të gjithë”, theksoi ai.
Shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi”, ndodhet në Njësinë Administrative Nr. 8 në Rr. Dibrës. Shkolla do të ndërtohet nga e para dhe përfshin një sipërfaqe totale prej 3900 m2. Shkolla do të ketë 4 kate, nga të cilat tre mbi tokë dhe një kat nëntokë. Krahas laboratorëve dhe ambienteve të tjera, shkolla e re do të ketë 19 klasa për të kaluar mësimin me një turn. Gjithashtu, shkolla e re është konceptuar që të jetë edhe si një qendër komunitare pasi është e pajisur me auditore, palestrën e brendshme, një teren sportiv të jashtëm dhe një oborr.
Top Channel