Vrasja e avokatit grek, 5 shqiptarë të implikuar

01/11/2017 17:56

Policia greke ka njoftuar në një konferencë për shtyp se, 5 shtetas shqiptarë implikohen në vrasjen e avokatit të njohur grek, Michalis Zafeiropoulos, pasditen e 12 tetorit në zyrën e tij në Athinë.

Një 32-vjeçar i arrestuar para 3 ditësh në Patra ka pranuar se është njëri prej dy vrasësve. Ai ka pohuar se, bashkë me një shqiptar tjetër kanë marrë urdhër nga 3 shqiptarë në Burgun e Koridhalosë për të kërcënuar dhe shantazhuar avokatin e njohur, për një çështje tjetër penale ku implikohej njëri prej 3 të burgosurve, çështje të cilën e kishte marrë përsipër zyra avokatore e Zafeiropoulos.

“Doja t’i qëlloja në këmbë, – ka thënë 32-vjeçari, – por plumbi e mori avokatin në gjoks dhe çdo gjë shkoi keq”. Dy autorët e krimit kishin marrë paradhënie 3.000 euro dhe më pas do të merrnin edhe 20 mijë euro të tjera.

“Autori që është arrestuar është një i arratisur nga burgu i Kasandrës, pasi shtatorin e kaluar ka shkelur lejen që iu dha. Prania e tij në zyrën avokatore vërtetohet edhe nga shenjat e gishtërinjve, të cilat u gjetën gjatë hetimeve”, tha Christos Papazafiris, shefi i Policisë së Athinës.

Në të kaluarën 32-vjeçari ishte akuzuar për përdhunim, grabitje, vjedhje, falsifikim, kërcënim, rezistencë ndaj organeve dhe shkelje të ligjit për lëndët narkotike.

Për sa u përket 3 autorizuesve të krimit, shtetas 34, 35 dhe 40 vjeç, ata vuajnë dënimet e tyre në Koridhalo për një çështje tjetër të njohur penale.

“Tre autorët që kanë porositur krimin, të dënuar në Burgun e Koridhalosë, janë akuzuar bashkërisht për pjesëmarrje në organizatë kriminale, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje”, tha Theodoros Chronopoulos, zëdhënësi i policisë greke.

Gjithashtu është bërë i njohur edhe identiteti i bashkëpunëtorit tjetër në vrasje, 30-vjeçar, i akuzuar për shumë vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, i cili thuhet se është larguar në momentin e fundit në Shqipëri dhe për këtë janë njoftuar organet shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA