“Nata e Bardhë”, një tjetër yll muzikor ndez Tiranën

01/11/2017 17:44

A jeni gati për “Natën e Bardhë”? Nëse përgjigja është po, atëherë bëhuni gati për surprizën e radhës. Sepse pas Jessie J, John Newman, Giusy Ferreri, Bebe Rexhës dhe Dua Lipës, një tjetër emër i njohur i muzikës botërore do të ndezë Tiranën e 29 Nëntorit.

Kësaj here, në skenë do të ngjitet e mrekullueshmja Emeli Sande, të cilën Bashkia e Tiranës e ka ftuar të jetë pjesë e festës që do të kulmojë pikërisht me një koncert madhështor për të gjithë të pagjumët e kryeqytetit. Tradita vijon, Tirana do të jetë më e ndriçuar se kurrë në 29 Nëntor, kur dyert e artit dhe kulturës do të hapen për të gjithë qytetarët dhe kryeqyteti do t’i jepet festës deri në agim.

Emeli Sande është një nga këngëtaret më të mira të momentit dhe hitet e saj renditen në krye të klasifikimeve botërore. Artistja skoceze spikati me këngën “Diamond Rings” e reperit Chipmunk në vitin 2009, e cila u bë pjesë e top 10-shes së singëllave muzikorë në UK Singles Chart. Në vitin 2010 ajo erdhi me “Never Be Your Woman” të reperit Wiley, ndërsa në vitin 2012 fitoi çmimin e kritikës Brit Awards ‘Critics’ Choice Award. Albumi i saj “Our Version of Events” qëndroi për 10 javë në vend të parë dhe u bë albumi më i shitur i vitit 2012 në Mbretërinë e Bashkuar, me mbi 1 milion kopje.

Në vitin 2016 ajo lançoi albumin e saj të dytë të regjistruar në studio “Long Live the Angels”, që debutoi në vend të dytë në renditjen e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA