Marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim e kontrateë mes shtetit shqiptar dhe kompanise CEZ, tanimë është bërë pjesë edhe e procesit penal ndaj dy ish drejtuesve të CEZ-it në vendin tonë, Josef Hejsek dhe Jan Ivan.
Avokati i tyre mbrojtes, Arben Rakipi i kërkoi gjykatës që të pushojë çështjen ndaj dy çekëve, pasi marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe CEZ në pikën 12 të saj parashikonte përjashtimin nga ndjekja penale e drejtuesve të lartë të CEZ dhe mos zbatimi i saj e nxjerr shtetin shqiptare gënjeshtar.
“Ky është një premtim që shteti shqiptar i ka dhënë bashkëkontraktorit dhe më fal nëse e them, por nuk ka një kuptim që shteti shqiptar të dalë gënjeshtar. Në këtë pikë, marrëveshja nuk do të ishte miratuar pasi ishte pjesë e negociatave të kryera”, tha avokati Arben Rakipi.
Për prokurorinë ky pretendim i mbrojtjes nuk qëndron, pasi në Shqipëri ndjekja penale është atribut i prokurorisë dhe askujt organi tjetër. Në këtë frymë prokurorja Antoneta Sevdari ka dhënë kundërshtimet e saj.
“Ne çmojmë se marrëveshja nuk parashikon përjashtimin nga ndjekja penale. Në marreveshje thuhet vetëm se në momentin kur është hartuar nuk ka të dhëna për ndjekje penale. Kushtetuta parashikon vetëm ato lloj marrëveshjes që ratifikohen me ligj dhe për këtë arsye kërkesa e mbrojtjes nuk duhet pranuar”, thotë prokurorja Antoneta Sevdari.
Gjykata mori dy javë kohë për tu shprehur në lidhje me këtë fakt. Dy ish drejtuesit e CEZ Josef Hejsek dhe Jan Ivan akuzohen për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda. Sipas prokurorisë ata kanë qenë bashkëpunëtorë të ish të mashtrimit të ish-administratorit të DIA-s Kastriot Ismailaj, i cili u dënua nga gjykata para pak ditësh me 11 vite burgim.
Top Channel