Banka e Shqipërisë përmirësoi parashikimin për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Guvernatori Genc Sejko tha se prodhimi kombëtar është zgjeruar me ritme më të shpejta nga sa vlerësohej më parë, çka sipas tij hedh bazat për një rritje më të lartë edhe gjatë viteve të ardhshme.
“Në raport me raundin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka riparë lehtësisht për lart parashikimin e rritjes ekonomike gjatë gjithë horizontit trevjeçar të parashikimit. Projeksioni i një rritjeje më të lartë ekonomike është ndikuar nga rishikimi për lart i vlerësimit për ritmin potencial të rritjes, në përgjigje të përmirësimeve strukturore të ndodhura në ekonominë shqiptare”, deklaroi Sejko.
Guvernatori i bërë thirrje bankave private që ta shfrytëzojnë situatën pozitive të ekonomisë, duke e mbështetur atë me kredi
“Rënia në nivelin 14.78% e raportit të kredive me probleme në muajin shtator tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit.Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e kërkesës për kredi duhet të ndiqet nga politika më të favorshme dhe largpamëse kreditimi nga sektori bankar. Në të kundërt, zhbalancimi i mëtejshëm i kërkesës dhe ofertës për kredi do të frenonte ritmin e rritjes ekonomike dhe do të ishte një mundësi e humbur për sektorin bankar”, u shpreh Guvernatori i BSH.
Top Channel