A mundet Trump ta mbyllë lotarinë? Në lojë, konflikti me pushtetin e Kongresit

01/11/2017 20:57

Ëndrra amerikane nëpërmjet lotarisë mund të marrë fund për qindra mijëra shqiptarë, pasi Donald Trump bëri sot thirrje për mbylljen e saj të menjëhershme. Presidenti amerikan tha se do t’i kërkojë Kongresit t’i japë fund këtij programi, të cilin e quajti çmenduri.

Reagimi erdhi pasi u zbulua se sulmuesi i Nju Jorkut kishte shkuar në vitin 2010 në Shtetet e Bashkuara i përzgjedhur nga lotaria amerikane. Por, përtej retorikës, sa reale mund të jetë mundësia e anulimit të lotarisë amerikane? Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni, për këtë çështje foli në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel kolegia e “Zërit të Amerikës”, Kejda Kostreci.

TCH: Kejda si kanë qenë reagimet në Uashington fillimisht pas kësaj deklarate?

VOA, Kejda Kostreci: Reagimet kanë qenë kryesisht në arenën politike dhe kanë pasur më shumë lidhje me faktin që çfarë simbolizon apo përfaqëson lotaria amerikane. E sidomos për shkak të sulmeve që presidenti Trump ka ndërmarrë në Twitter kundër kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i cili reagoi duke thënë se çështja e këtij personi nga Uzbekistani që kreu sulmin nuk duhet të politizohet. Reagimet kanë qenë politike deri tani dhe nga publiku nuk pritet të ketë ndonjë reagim, sepse në fakt nuk janë të shumtë ata që e dinë se ekziston ky program. Unë e di sesa popullor është në Shqipëri, edhe unë vet kam përfituar nga ky program, por në SHBA, sa herë që ka rënë fjala për programin e diversitetit, pothuajse askush nuk e ka të qartë se çfarë është.

TCH: Presidenti Trump bëri thirrje, shprehu vullnet, por sa realisht e ka ai në dorë të anulojë lotarinë amerikane?

VOA, Kejda Kostreci: Nuk mund të thuhet që ai ka në dorë ta anulojë. Presidenti nuk mund ta bëjë këtë me urdhër ekzekutiv, siç mund të bënte për një vendim të caktuar të një presidenti të mëparshëm. Kjo është një çështje që do të diskutohet dhe do të zgjidhet nga Kongresi, e për këtë arsye presidenti i ka bërë thirrje Kongresit amerikan. Në fakt ka pasur një nismë të tillë në vitin 2013 dhe është miratuar nga Senati për kalimin nga lotaria te një sistem i bazuar te meritat e emigrantëve, por një projektligj i tillë nuk kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe afati skadoi për një gjë të tillë. Presidenti vet nuk e ndërmerr dot këtë hap pa u shqyrtuar në Kongres, ndërsa ne ende nuk e dimë se çfarë do të bëjë Kongresi, a do të ndërmarrë masa për një nismë ose propozim të tillë të presidentit Trump.

TCH: Nëse një proces i tillë politikisht arrihet, pra ka konsensus mes presidentit dhe Kongresit, sa mund të zgjasë një proces i tillë?

VOA, Kejda Kostreci: Mund të mendohet se procesi do të jetë i gjatë, sepse ka disa pjesë të axhendës së presidentit që janë ndërkohë të rëndësishme për Trumpin, siç mund të jetë ajo e taksave, vitin tjetër ka zgjedhje të Kongresit në mes të mandatit. Pra duke pasur parasysh sesa e ngjeshur është axhenda, kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti. Një konsideratë tjetër është nëse do të jetë kjo pjesë e reformës për emigracionin, që kërkon presidenti Trump të arrijë? Apo do të jetë një pjesë e veçuar? Këto janë konsiderata që duhen parë si do të shkojnë, por të paktën nga ajo që shohim tani nga axhendat e presidentit dhe Kongresit, vështirë se mund të realizohet , aq më tepër që edhe vullneti politik nuk ekziston tashmë mes presidentit dhe demokratëve në Kongres siç mund të ketë qenë në vitin 2013. Atëherë, vet zoti Schumer ishte pjesë e një grupi dypartiak për të ndryshuar këtë ligj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA