Gjergj Jorgaqi: Pse nuk dal më në skenë

31/10/2017 19:12

Gjergj Jorgaqi, i ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, shpjegoi arsyet se nuk është parë më në skenat shqiptare.

“Muzika po degjeneron fare. Po zhduken profesionistët. Nëse deri dje, për të bërë një album na duheshin minimumi 2 muaj, sot e bëjnë brenda disa ditësh duke vjedhur orkestralet në internet”, deklaroi Jorgaqi.

Këngëtari zbuloi edhe se vajza e tij është larguar nga Shqipëria pikërisht për situatën në të cilën ndodhet industria muzikore në vendin tonë: “Ka ikur nga Shqipëria për shkak të zhgënjimeve. Mentaliteti shqiptar, mënyra si përzgjidhen gjërat… marrin modele, i bëjnë këngëtare për një muaj dhe i lënë. Ky është prostitucion muzikor. Çdo material e kam bërë për vajzën në 10 vitet e fundit, por vendosi të largohej nga këtu. E hoqa me dëshirë nga muzika dhe vazhdoi për psikologji”.

Gjergji nënvizoi gjithashtu se konkurrenca nuk është aspak e drejtë në botën e muzikës.

“Nuk mund të dal të tregoj aftësitë e mia në skenë kur konkurroj me një vajzë që del me mbathje. Kjo është arsyeja që nuk dal më në skenë. Zhgënjimi vjen kur bëhet një kala me faktorë. Unë kam çarë me fuqitë e mia, edhe pse isha mashkull. Femrat e kanë 50% fasadë suksesin dhe e kanë më të lehtë për të çarë”, theksoi Jorgaqi.

Në fund, Gjergj Jorgaqi pranoi se ka “projekte plot në kokë”, por nuk i bëhet që të dalë më në skenë. “Kur të bëhen gjërat në mënyrë profesionale, mund të kthehem”, tha Gjergj Jorgaqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA