Agjencia britanike e Luftës Kundër Krimit, varianti britanik i FBI-së, ka mundur të shkatërrojë një rrjet trafikantesh të qenieve njerëzore, i kryesuar nga një shqiptar, pjesëtarët e të cilit të gjithë banorë në Londër, të cilët kërkonin të sillnin çdo muaj 20 emigrantë ilegale shqiptar nga Belgjika për në Britani.
Kjo betejë e fituar me krimin e organizuar në luftën e gjatë dhe të vështirë me të, u mundësua fale infiltrimit të një agjenti të kësaj agjencie ligjzbatuese në radhët e trafikantëve, ku agjenti britanik shërbente si shofer i makinës që përdorej për trafikimin e emigrantëve shqiptarë, shumë prej tyre të riatdhesuar më parë, por që kërkonin të riktheheshin në Britani ilegalisht. Tentativa e fundit e grupit kriminal ishte marsin e kaluar, ku një shqiptar dhe dy anglez kërkonin nga 2 mijë sterlina për person për transportimin e tyre.
Trafikantët u arrestuan në muajin gusht kur dështuan në tentativën e fundit të trafikimit të gjashtë emigrantëve shqiptar në qytetin belg të Oastkamp. Sipas zyrtarit të lartë të NCA, Jez Hope, “krimi i organizuar vepron në çdo vend dhe është jetësore që organet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit të bashkëpunojnë dhe ndajnë informacionet sekrete me njëri-tjetrin në këtë luftë”.
Agjencia britanike e Luftës kundër Krimit,NCA, së fundmi është përqendruar fuqishëm në luftën dhe asgjësimin e rrjeteve kriminale shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore dhe luftës kundër importit të drogës.
Top Channel