Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Akademia e Shkencave ka nevojë për ristrukturim dhe jo asgjësim. Në përfundim të mbledhjes së grupit, Petrit Vasili tha se është legjitimuar inkuizicioni qeveritar.
“Ky buxhet ka një moment tjetër delikat, për shkak të qasjes që ka në raport me disa themele të rëndësishme të dijes shkencore që lidhet me Akademinë e Shkencave, që pushon së ekzistuari duke prerë financimet, duke shënuar një fitore të shkollëpaktëve mbi dijen, dhe duke legjitimuar inkuizicionin qeveritar të të paditurve, për të cilët narkotrafikantët janë të çmuar. Akademia ka nevojë për ristrukturim, po jo asgjësim dhe rrethim. Jo më larg se pak ditë më parë, me lobimin edhe të Akademisë së Shkencave në konferencën e Tokios u pranua dhe Akademia e Kosovës”, tha z. Vasili.
Buxhetin e vitit të ardhshëm të qeverisë, Vasili e sheh si koncept “të ndarjes së tortës siç ndajnë paratë narkotrafikantët. “Po në funksion të kësaj situate dhe me këtë koncept të ndarjes së tortës siç ndajnë trafikantët paratë është dhe prjoektbuxheti i depozituar në Kuvend i cili nga analiza paraprake rezulton që është pikërisht një situatë buxhetore që i ngjan pikërisht ndarjes së të ardhurave të narkotrafikut pasi flitet për 1.4 miliardë dollarë konçesione të mëdha rrugësh, në errësirë të plotë, pa asnjë transparencë. Buxheti që u prezantohet shqiptarëve do të vazhdojë të ketë si një gurë të rëndë në qafën e tyre dhe paratë e dhjetëra milionë euro për koncesionet famëkeqe që prodhuan dëme e shkatërrime e aspak shërbime”, tha më tej Vasili.
LSI tha ai do të vazhdojë të denoncojë situatën e rëndë në vend, si dhe do të sjellë alternativa tek njerëzit.
Top Channel