Rama: Do shkojmë mbi 5%. Atëherë rritja ekonomike ndihet nga të gjithë

29/10/2017 11:35

Në një takim me tatimpaguesit më të mëdhenj në vend kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur me rritjen ekonomike, ndërsa tha se synimi është që ajo të jetë mbi 5 për qind.

“Sot kemi një lajm shumë të mirë. Ekonomia bazuar në tremujorin e fundit është rritur me 4.06%, pra, kemi kapur 4-përqindshin. Nuk është mjaft, por është një shenjë tjetër që po shkojmë në drejtimin e duhur. Objektivi ynë është të kapërcejmë 5-përqindshin brenda vitit 2019 dhe kjo është plotësisht e mundur. Të gjitha këto na ndihmojnë të shkojmë në këtë drejtim”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se, pastrimi i rrugës që lidh sipërmarrjen me shtetin është një nga masat kryesore që do të ndihmojë në arritjen e objektivit të rritjes ekonomike mbi 5%.

“Në momentin që rritja ekonomike kalon 5-përqindshin, ju e dini shumë mirë se është rritje ekonomike që fillon e ndihet tek të gjitha shtresat. Fillon ndihet edhe tek familjet e zakonshme, për të cilat, kur u thua nga 1 shkuam në 2 dhe në 3, me të drejtë janë shifra, por nuk janë domethënëse përsa kohë nuk ndjehet në xhepin e tyre dhe në mënyrën e tyre të jetesës. Nëse kalojmë 5-përqindshin, dihet botërisht, për një vend si Shqipëria, kjo fillon bëhet e ndjeshme për të gjithë”, tha Rama.

Në takimin ku ishte edhe minstrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, kreu i qeverisë tha se brenda javës së ardhshme do të publikohet platforma “online” e bashkëqeverisjes, që do të ketë rubrikë të veçantë për biznesin, që të ketë linjë direkte për çdo lloj cënimi dhe sjellje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA