Projekti për ndërtimin e një landfilli të mbetjeve në Lekaj-Gosë, në Bashkinë e Rrogozhinës ka bërë që drejtues të Partisë Demokratike të shkojnë atje dhe të takohen me banorët e zonës.
Këta të fundit kanë shprehur shqetësimin se landfilli do të ndërtohet pranë banesave. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se Bashkia e Rrogozhinës nuk ka respektuar asnjë kriter ligjor dhe kërkoi reagimin e qytetarëve.
“Kjo nuk duhet të jetë dhe nuk duhet të ekspozohet si një lëvizje e Partisë Demokratike në Rrogozhinë. Do ishte gabim nëse do të ekspozohej në këtë formë, sepse të këqijat që do të pësonin nga ngritja e një landfilli do të jenë për të gjithë qytetarët, edhe të majtë edhe të djathtë”, deklaroi Spaho.
Ndërsa deputetja Albana Vokshi e cilësoi krim këtë projekt dhe u kërkoi banorëve që të protestojnë.
“Çfarë ka ndyrshe landfilli afër banesave tuaja nga krimi dhe nga droga? Unë them që s’ka asgjë, është krim. Është kriminale, ndaj kushdo që ben një krim duhet ndëshkuar dhe duhet çuar përpara drejtësisë. Protestoni, ju lutem protestoni. Mbështetjen tonë do ta keni 24 orë. Nuk e bëjmë në emër të PD, por e bëjmë si deputetë për të përfaqësuar interesat e gjithësescilit prej jush”, tha nga ana tjetër Vokshi.
Top Channel