Manchester United njihet tashmë edhe zyrtarisht si kampion i botës për klube, trofeu i dytë në histori, pas vendimit të FIFA-s të kësaj të premteje për njohjen e triumfit të tyre në Kupën Interkontinentale të vitit 1999.
Këshilli i trupës qeverisëse të futbollit botëror njoftoi se ka njohur zyrtarisht fituesit e Kupës Interkontinentale, që janë zhvilluar mes viteve 1960-2004, si kampionë të botës për klube.
Kompeticioni në fjalë është diskutuar zakonisht mes fituesve të Kupës Europiane dhe Kupës Libertadores, në Amerikën Latine, por ka hasur pengesa nga dhuna, mosmarrëveshjet mbi formatin, si dhe mosinteresimin nga ekipet europiane.
Liverpool, për shembull, refuzoi të luante ndaj argjentinasve të Boca Juniors në vitet 1977 dhe 1978.
Klubet britanike kanë një historik shumë të dobët në këtë kompeticion, pasi Celtic, Manchester United, Nottingham Forest, Liverpool dy herë dhe Aston Villa, që të gjitha i kanë humbur finalet, përpara se “djajtë e kuq” të mposhtnin më në fund brazilianët e Palmeirasit në vitin 1999.
E pasi FIFA ndryshoi formatin e këtij turneu, Manchester United e ka fituar edhe njëherë në vitin 2008, këtë herë atë që quhet edhe sot Botërori i Klubeve.
Reali i Madridit është klubi më i suksesshëm në histori i të dyja këtyre kompeticioneve, me një total prej 5 trofesh. Kampionët në fuqi të Europës e kanë fituar Kupën Interkontinentale 3 herë (1960, 1998 dhe 2002), ndërsa kanë siguruar për të dytën herë Botërorin e Klubeve vitin e kaluar, teksa mposhtën pas kohëve shtesë japonezët e Kashima Antlers 4-2, me një trigolësh nga Cristiano Ronaldo.
Milani e ka fituar gjithashtu 3 herë Kupën Interkontinentale, shto këtu edhe Botërorin e Klubeve të vitit 2007. Ndryshe nga kuqezinjtë e Milanos, Barcelona ka 3 Botërorë Klubesh, më shumë se kushdo tjetër, por nuk ka ngritur asnjëherë trofeun e Kupës Interkontinentale.
Brazilianët e Sao Paulos janë klubi më i suksesshëm i Amerikës Latine në kompeticionet ndërkombëtare, e fitoren e fundit e kanë arritur në finalen e Botërorit të Klubeve në vitin 2005 ndaj Liverpool, pa harruar dy trofetë radhazi të Kupës Interkontinentale të viteve 1992 dhe 1993. Asnjë klub tjetër jashtë Europës apo Amerikës Latine nuk ka fituar ndonjëherë këto tituj.
Tri herë fituesit e Kupës Interkontinentale: AC Milan (1969, 1989, 1990), Boca Juniors (1977, 2000, 2003), Nacional (1971, 1980, 1988), Penarol (1961, 1966, 1982), Real Madrid (1960, 1998, 2002).
Dy herë fituesit: Ajax (1972, 1995), Bayern Munich (1976, 2001), Independiente (1973, 1984), Inter Milan (1964, 1965), Juventus (1985, 1996), Porto (1987, 2004), Santos (1962, 1963), Sao Paulo (1992, 1993).
Një herë fitues: Atletico Madrid (1974*), Borussia Dortmund (1997), Estudiantes (1968), Feyenoord (1970), Flamengo (1981), Gremio (1983), Manchester United (1999), Olimpia (1979), Racing (1967), Red Star Belgrade (1991), River Plate (1986), Velez Sarsfield (1994).
* Në rastin e Atleticos, spanjollët finalistë të Kupës Europiane morën pjesë për shkak të refuzimit nga ana e kampionëve të Europës, Bayern Munchen.
Top Channel