Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka prezantuar në Durrës projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2018.
Në një takim me grupet e interesit, Ahmetaj ka deklaruar se do të ketë përjashtim nga taksa për brendet në hoteleri. Më shumë do të përfitojnë bizneset që do të ofrojnë shërbimin e hotelerisë me 5 yje, të cilëve do t’u hiqet tatim-fitimi për 10 vjet dhe do t’u ulet TVSH-ja.
Ndërkohë, do të përjashtohen nga taksat investitorët që sjellin emra të njohur të hotelerisë botërore në Shqipëri.
“Për investitorët që do të ndërtojnë hotele me 4-5 yje ka përjashtim nga taksa e pronës dhe infrastrukturës, tatimi mbi fitimi për 10 vjet do të jetë zero dhe TVSH-në do ta kenë 6%”, ka thënë Ahmetaj, duke shtuar se vetëm taksa e pronës prek gjithë sistemin.
Sa i takon paketës fiskale, ministri ka nënvizuar se ajo ka si synim luftën kundër informalitetit dhe promovimin e sektorëve të rëdësishëm, ku merr përparësi pikërisht turizmi.
“Risi e këtij buxheti do të jenë investimet në vlerën e 860 milionë dollarëve paralelisht me uljen e borxhit publik. Rritje me 46 për qind do të kenë dhe investimet në infrastrukturë ku përfshihen dhe ato në bypass-et e Fierit dhe Tepelenës, ndërsa do të mbyllen një sërë projektesh të nisura. Rritje të buxhetit do të ketë dhe për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë”, ka shtuar Ahmetaj.
Top Channel