Kërkesa e Prokurorisë për kufizimin e lirisë të Saimir Tahirit pas përgjimeve të dala nga autoritetet italiane mbërriti në Kuvend në një periudhë kur do të fillonte ai që njihet si thelbi i reformës në drejtësi; Vettingu.
E mes zhurmës së shkaktuar nga çështja “Tahiri”,Vettingu ka filluar dhe e ka bërë këtë pikërisht këtë të enjte me kryetarin dhe anëtarët e majës së piramidës së drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese.
Por a ekziston një lidhje mes dosjes “Tahiri” dhe reformës në drejtësi? Për këtë diskutuan në Top Story këtë të enjte politikanët Dashamir Shehi, Spartak Ngjela, Petro Koçi dhe analisti Arjan Vasjari.
Dashamir Shehi thotë se sjellja e mazhorancës në rastin e deputetit Saimir Tahiri humb besimin tek reforma.
“Çështja Tahiri krijon një çështje mosbesimi dhe paragjykim, që edhe në mes të klimës së reformës në drejtësi, kush ka pushtetin del i palagur”, thotë ai.
Shehi e quajti të pavlerë kontrollin e banesës së Saimir Tahirit nga ana e Prokurorisë këtë të enjte.
“Ishte thjesht një adet. Edhe polici më budalla nuk do të mendonte se do të gjente prova tek shtëpia e Tahirit pas 10 ditëve që flitet në media për këtë. Në Parlament kishte një vlerë politike debati, por edhe aty i kotë ishte. Vendimi i PS tregon që e mbrojtën Tahirin dhe ky është kodi i mafias; ne të mbrojmë ty, ti mos fol”, tha ai.
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela thotë se pavarësisht zhvillimeve në politikën shqiptare, reforma në drejtësi nuk mund të ndalet prej klasës politike. Ai thotë se Prokuroria për Krime të Rënda është një institucion i korruptuar dhe se të gjitha lëvizjet e bëra tani nga palët, sipas Ngjelës, i shkojnë përshtat si opozitës, ashtu edhe mazhorancës.
“Reformën në drejtësi nuk e bëjmë ne, e bëjnë ndërkombëtarët. Prokuroria e Krimeve të Rënda është institucion i korruptuar dhe unë i kam parë në veprim në procese. Ajo që më bëri përshtypje të madhe dhe që më dha të kuptuar që edhe Rama edhe Berisha gjetën një rrugë të re, që sado që të na godasë reforma në drejtësi, ne nuk lëmë arrestin. Me ato ligje që kanë miratuar, nuk shpëton njeri nga drejtësia. Po patën futur duart në korrupsion, këta nuk janë më në politikë. Se çdo të bëjë pushteti i ri gjyqësor, atë nuk e dimë, por po të shikosh ligjin për Prokurorinë, që zgjidhet nga forumet shqiptare, nuk ka fare akses tek Prokuroria e Posaçme”, deklaroi Ngjela.
Dhe kjo ka filluar sipas Ngjelës, me mbërritjen e 86 përfaqësuesve të FBI-së.
“Kanë mbërritur 86 përfaqësues të FBI-së në Shqipëri dhe janë duke u prezantuar nëpër bashki sipas burimeve të mia”, vijoi ai.
Zv.ministri i Mbrojtes, Petro Koçi e lidh çështjen “Tahiri” me reformën në drejtësi dhe jo vetëm.
“Çështja Tahiri ka qenë e përllogaritur për të dhënë goditje disaplanëshe. Ka qenë plani politik, por ka qenë edhe ai për të goditur Vettingun dhe reformën në drejtësi. U është dashur që Vettingut të kompromentohej me një ngjarje, ku publiku të besonte se mazhoranca nuk do reformën në drejtësi”, u shpreh ai.
Top Channel