Kurdët e Irakut ngrijnë referendumin, kërkojnë bisedime

25/10/2017 11:16

Qeveria rajonale e Kurdistanit ofroi ngrirjen e rezultatit të referendumit për pavarësinë dhe nisjen e dialogut me Bagdadin.

Qeveria e krahinës autonome kurde tha se propozoi një armëpushim, për të parandaluar më shumë dhunë dhe përballje të armatosura. Luftimet shpërthyen javën e kaluar, kur forcat e qeverisë irakiane morën kontrollin e qytetit të pasur me naftë, Kirkuk, dhe zonat rreth tij, që kontrolloheshin nga kurdët.

“Luftimet e vazhdueshme nuk sjellin fitore për asnjë palë, por çojnë vendin drejt kaosit. Përballjet mes irakianëve dhe forcave ‘Peshmerga’ mund të sjellin një gjakderdhje të madhe”, shkruhet në komunikatën e qeverisë rajonale kurde.

Situata në Irak u tensionua pasi rajoni i Kurdistanit votoi bindshëm në favor të pavarësisë. Megjithëse jo ligjërisht detyrues, referendumi dërgoi një mesazh të qartë për planet e ardhme kurde, e Iraku nxitoi të dërgonte ushtrinë për të zgjidhur situatën.

Analistët thonë se, pavarësisht komunikatës paqësore dhe ofrimit të bisedimeve, pala kurde e kupton qartë se përleshja e armatosur nuk mund të shkojë në favor të saj, duke qenë se edhe fuqi rajonale, si Turqia dhe Irani, janë kundër pavarësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA