Festivali ndërkombëtar i Filmit në Tokio, ngjarja më e rëndësishme kinematografike në Japoni, çeli siparin të mërkurën, me producentët, aktorët e të ftuarit specialë që parakaluan në tapetin e kuq në Roppongi të Tokios.
Këtë vit shënohet 30-vjetori i festivalit, gjatë të cilit do të shfaqen mbi 200 filma nga e gjithë bota. Plot 15 prodhime do të garojnë për çmimin e madh, i akorduar nga një juri prej 5 pjesëtarësh. Kryetar i saj është aktori amerikan, Tommy Lee Jones.
Mes fituesve të kaluar të kompeticionit përfshihen Alejandro Gonzalez Inarritu, i cili më vonë fitoi edhe çmimin “Oscar” si regjisori më i mirë me filmin “Birdman” në vitin 2015 dhe “The Revenent” në vitin 2016.
“Aqerat”, që flet për vuajtjet e komunitetit “Rohingya” në Mianmar, është një prej filmave që do të ekranizohet në festival.
“Aqerat nënkupton ‘Jetë e përtejme’ në gjuhën e rohingyave. Ne e bëmë këtë film për të treguar dhimbjen që ky komunitet po përjeton gjatë dekadës së fundit”, tha Edmund Yeo, regjisor i “Aqerat”.
Kategori të reja, të tilla si “Midnight Film Festival”, u krijuan për edicionin e këtij viti, ku do të përfshihet edhe një dokumentar i realizuar pas vdekjes për këngëtarin e ndjerë George Michael. Festivali i Filmit në Tokio zgjat nga 25 tetori deri më 3 nëntor.
Top Channel