Anthony Joshua, një “grand tour” për tifozët e boksit

25/10/2017 13:35

Boksieri i njohur britanik Anthony Joshua pritet t’iu dhurojë tifozëve një spektakël të vërtetë në vitin 2018.

Pritja fenomenale prej 80 mijë vetësh, që është parashikuar t’i bëhet sportistit në stadiumin e Kardifit, po e bind vet Joshuan dhe ekipin teknik që të ndeshet sërish në impiante futbolli.

Përveç sfidës së të shtunës ndaj Carlos Takam në Uells, kampioni i botës në WBA po planifikon 3 përballje të tjera emocionuese përballë një publiku të paimagjinueshëm në numër.

“E di që ka shumë njerëz, duke përfshirë dhe fëmijë, që duan të më shohin nga afër. Do të doja të ndeshesha në arenën ‘O2’ në Londër, por atje nuk do të kenë shumë mundësi të më shohin në ring. Stadiumet e mëdha janë një mundësi më e mirë. Është mirë për boksin dhe për tifozët, pasi kërkesa është e lartë”, tha boksieri britanik.

Anthony Joshua do të ketë sfidën e dytë në ring këtë vit, pas përballjes spektakolare ndaj Wladimir Klitschkos në stadiumin “Wembley”, në muajin prill.

Në fokusin e ekipit organizator janë “Emirates Stadium” i Arsenalit, në Londër, si dhe dy impiantet e qytetit të Manchesterit, “Old Trafford” dhe “Etihad Stadium”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA