Tirana, qyteti “cool” i Europës

24/10/2017 13:10

Tirana vazhdon të tërheqë vëmendjen e medieve ndërkombëtare dhe, pas një serie emrash prestigjioze si “Vogue” apo “Vanity Fair”, është spanjollja “Condè Nast Traveler” që e sposton fokusin e saj te kryeqendra e Shqipërisë, duke e cilësuar si një ndër qytetet më interesante të Europës.

Revista e njohur e rendit Tiranën në krah të Barcelonës, Brukselit apo Birminghamit, si një nga vendet më joshëse të momentit në kontinentin e vjetër. Faktori “cool” i Tiranës, siç parapëlqen ta quajë “Condè Nast Traveler”, është i përqëndruar në zonën e Bllokut, dikur lagjja e rezervuar për elitën politike të vendit, ku hyrja ishte e pamundur për pjesën tjetër të popullsisë.

Në shkrim theksohet se, qyteti e meriton një vend në “top list”. Restorantet, kafenetë që i krahason me stilin e “Fifth Avenue”, nisin përshkrimin e gjatë që vazhdon më pas me vendet më të vizituara, me pikat turistike më të veçanta, si sheshi “Skënderbej”, Galeria e Arteve, “Bunk-Art”, të cilat i japin Tiranës një dinamizëm të veçantë, u ofrojnë vizitorëve art, kulturë dhe i bëjnë ata të njohin nga afër traditën, ndërthurur me elementët e modernes.

Vëmendjen e autores e tërheq gjithashtu historia otomane, reliket komuniste, arkitektura, kultura, natyra, kuzhina e pasur, çmimet konkurruese, por edhe ngjyrat e veçanta, të gjithë këto elementë që – siç thuhet në artikull, – nuk do t’i gjesh dot në asnjë vend tjetër.

Lexuesit orientohen drejt muzeve, duke theksuar sesi një prej tyre gjendet në një bunker bërthamor, Piramida e mbuluar me grafite, por nuk duhet të shkosh në një vend të caktuar për t’u njohur me shpirtin e Tiranës…

Vetëm një hap larg nga blloku – shkruan “Condè Nast Traveler”, – sheshi “Skënderbej” dhe rrugët përreth tij mund të shndërrohen në rrugë arti. Nga të gjitha anët do të shohësh ndërtesa me vizatime nëpër mure, fasada të mbuluara me ylbere ngjyrash, në harmoni të plotë.

“Eja në Tiranë tani, – është këshilla e përcjellë mes rreshtash, – sepse më vonë do të jetë kthyer në ‘mainstream’”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA