Një muaj pas zgjedhjeve federale gjermane, presidenti Frank-Walter Steinmeier shpërndau zyrtarisht qeverinë, duke hapur rrugën për një kabinet të ri, pas negociatave të suksesshme për krijimin e një koalicioni.
“Një mazhorancë e madhe mund të bëjë ndryshime të mëdha. Duhet ta bëjnë këtë, pasi 4 vitet e fundit janë ndikuar nga zhvillime të rëndësishme. Së pari, krizat dhe konfliktet kanë trazuar kontinentin tonë, në një intensitet që ne nuk e kemi përjetuar më parë, të paktën jo gjatë karrierës sime politike. Në të njëjtën kohë, Gjermania është bërë qendra e përgjegjësisë ndërkombëtare dhe europiane, ashtu siç nuk e kishim imagjinuar”, tha Frank-Walter Steinmeier, president i Gjermanisë.
Përkrah Kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, u vendos edhe ish-ministri i Financave, Wolfgang Schäuble, që u zgjodh më herët gjatë së martës kryetar i Bundestagut.
Ky i fundit, pjesëtar i konservatorëve të Kancelares Merkel, pranoi muajin e kaluar të dorëhiqej si ministër Financash, duke ia lënë postin një partie tjetër, pas negociatave për krijimin e një koalcioni të ri qeverisës.
Konservatorët e Merkelit pësuan humbje të dukshme në zgjedhjet kombëtare, gjë që i detyroi ata të nisin bisedime tripalëshe për krijimin e një koalicioni, gjë që rrallëherë ka ndodhur në historinë e pasluftës në Gjermani.
Pakti i mundshëm tripalësh është quajtur koalicioni “Xhamajka” për shkak të ngjyrave të 3 partive: e zezë, e verdhë dhe e gjelbër, që koinçidojnë me ato të flamurit xhamajkan. Partitë simotra të konservatorëve, “demokratët e lirë liberalë” dhe “të gjelbrit” u takuan ndërkohë të martën dhe Kancelarja Merkel shpreson që ata të arrijnë një pikë të përbashkët, gjë që duke pasur parasysh programet e tyre, duket e vështirë, por jo e paarritshme.
Top Channel