Austri, Kurz fton ekstremistët në qeveri

24/10/2017 11:14

Ajo që u paralajmërua që pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve nuk vonoi; konservatori Sebastian Kurz ftoi zyrtarisht ekstremin e djathtë në koalicion për të qeverisur Austrinë.

Partia Popullore e drejtuar nga Kurz doli forcë e parë në zgjedhjet e javës së kaluar, por nuk arriti që të sigurojë numrat për të formuar e vetme qeverinë e re.

Gjatë fushatës, emigracioni ishte kryefjala dhe gjuha e përdorur nga Kurz zhvendosi akoma më djathtas Popullorët austriakë, aq sa ekstremistët e Partisë së Lirisë akuzuan Kurz se “ka vjedhur programin e tyre”.

Sipas analistëve, nëse koalicioni i Sebastian Kurz me FPO e Heinz-Christian Strache realizohet, politika e migracionit, siguria e brendshme, por edhe çështje strukturore do të marrin një drejtim të ri, ndoshta edhe të dyshimtë.

Kurz dhe Strache janë të të njëjtit mendim se azilkërkuesit dhe emigrantët ilegalë mund të ndalen vetëm nëse mbyllen kufijtë. Më tepër dëbime dhe ekstradime, kampe për emigrantët në Afrikë, apo në ishuj të pabanuar… Këto janë disa nga argumentet që përdori Kurz për të bindur zgjedhësit.

Edhe pse shumica e të huajve në Austri janë nga vendet e BE-së, frika në Vjenën zyrtare është e madhe. Edhe aty, sikurse në Gjermaninë Lindore, populistët e djathtë fituan më tepër vota në zonat ku ka më pak të huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA