Një zhytës britanik notoi për 7.5 km, në më pak se 4 orë, për të mbërritur bregun në Australinë perëndimore, pasi humbi kontaktet me varkën e tij. 34-vjeçari John Craig po peshkonte nën ujë, e kur doli në sipërfaqe varka nuk ishte më aty.
Asgjë e veçantë deri këtu, por nëse themi se ngjarja ndodhi në gjirin e peshkaqenëve dhe zhytësi u ndoq pas nga një peshkaqen tigër, situata merr një vlerë legjendash.
Craig, i cili prej dy vitesh jeton në Australi, deklaroi për mediet lokale se, ndërsa po mendonte sa kohë do t’i duhej të dilte në breg me not, peshkaqeni rreth 4 metra i gjatë u shfaq pranë tij, duke i prishur llogaritë.
“Kur pashë pendën e tij të shfaqej mbi ujë, mendova se ky ishte fundi”, deklaroi britaniku. Craig tha se ende nuk e kupton pse peshkaqeni vendosi se ai nuk bënte pjesë në menynë e tij, por fatmirësisht pas njëfarë kohe e la të qetë.
Megjithëse, sipas zhytësit, kur nuk shihte më pendën e peshkaqenit, notonte edhe më fort. Pasi doli në breg, Craig iu desh të ecte edhe për rreth gjysmë ore që të gjente njerëz, t’u kërkonte ndihmë e t’u tregonte historinë, pasi plazhi i gjirit të peshkaqenëve, nga vet emri kuptohet që nuk është i frekuentuar.
Top Channel