12 qytetet e mëdha, vetëm autobusë me zero emetime

23/10/2017 23:26

12 qytete të mëdha, mes të cilëve Londra, Parisi, Barcelona, Los Anxhelosi dhe Kejp Tauni, premtuan se do të blinin vetëm autobusë me zero emetime, duke filluar nga 2025-a dhe t’i çlironin zonat kryesore nga emetimet e karbonit deri në 2030-ën, me qëllim mbrojtjen e ambjentit.

12 qytetet, me një popullatë prej rreth 80 milionë banorësh, do të promovojnë ecjen, përdorimin e biçikletave dhe transportit publik në kuadër të një nisme të përbashkët.

“Ne po angazhohemi sot që të implementojmë në qytetet tona, politika për njerëzit, rreth njerëzve dhe t’i japim më shumë hapsirë, ecjes, çiklizmit, më shumë akses transportit publik dhe të reduktojmë numrin e makinave në rrugët tona, duke filluar me ato më të ndotura dhe për të kaluar pastaj gradualisht tek përjashtimi i plotë i mjeteve që përdorin karburantet fosile”, tha Anne Hidalgo, kryebashkiake e Parisit.

Shumë qytete po përcaktojnë qëllime më ambicioze për ambjentin, krahasuar me qeveritë, për të kufizuar ndotjen e ajrit dhe për të arritur objektivat e marrëveshjes së Parisit për klimën, për reduktimin e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Kryebashkiakët janë pjesë e grupit C40, të qyteteve që po tentojnë të ngadalësojnë ngrohjen globale.

“Të gjithë autobusët që ne do të blejmë për transportin publik, do të jenë me zero emetime dhe në 2030-ën, një pjesë e madhe e rrugëve tona, do të jenë të çliruara nga gazrat e dëmshëm. Barcelona është një qytet i angazhuar për të luftuar ndryshimet klimaterike, dhe mbi bazën e këtij angazhimi do të marrim edhe shumë vendime të tjera”, tha Ada Colau, kryebashkiake e Barcelonës.

Qytete të tjera që i janë bashkangjitur nismës janë Kopenhageni, Vankuveri, qyteti i Meksikos, Milano, Siatëlli, Oklandi dhe Kuito. Zonat me zero emetime, do të përfshijnë më shumë parqe, rrugë këmbësore apo rrugë ku mund të hyjnë vetëm mjete me hidrogjen, duke i bërë qytetet më tërheqëse për të jetuar. Londra, ka aktualisht flotën më të madhe të autobuzëve elektrikë në Evropë, me më shumë se 2500 autobuzë hibridë elektrikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA