Marc Marquez ishte autor i një prove mbresëlënëse në cirkuitin e Phillip Island, në Australi, duke fituar garën e vlefshme për klasin mbretëror të MotoGP, duke hipotekuar gjithashtu titullin kampion.
Me suksesin në tokën e kangurëve, avantazhi i pilotit spanjoll është tashmë 33 pikë më shumë nga Andrea Dovizioso, me këtë të fundit që preku “finish”-in me një vend të 13 zhgënjyes dhe larg pritshmërive për një pilot që synon fronin.
Valentino Rossi e mbylli garën në vendin e dytë, por ka meritën se u kthye në makthin e iberikut në thuajse të gjithë garën, duke qenë i vetmi kërcënim për ambiciet e Marc Marquez. Ndoshta përplasjet e vjetra dhe ndoshta egoja e pashuar e pezarezit, por ajo çfarë u pa në pistë ishte një spektakël i vërtetë i “Doktorit”, që mori përkohësisht edhe komandën në disa pjesë të pistës.
Në vendin e tretë në garën australiane doli Maverick Vinales. Tashmë, në garën e ardhshme në Malajzi vjen edhe mundësia e parë e Marc Marquez për titullin. Atij do t’i mjaftojë të mos humbasë më shumë se 7 pikë ndaj italianit, një “match point” që mund të lehtësohet, nëse Dovizioso do të bëjë një garë zhgënjyese, si kjo në Australi.
Top Channel