Raportet për ngecje në negociatat mbi “Brexit”-in mund të jenë të ekzagjeruara, tha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, pas një samiti në Bruksel.
“Progresi nuk është i mjaftueshëm për të nisur bisedimet e tregtisë me Britaninë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka fare progres. Ka vullnet të mirë nga palët dhe kjo garanton progresin”, tha Donald Tusk.
Udhëheqësit e BE-së diskutuan çështjen pa praninë e Britanisë, duke hapur rrugën për bisedimet mbi tregtinë, ndoshta duke filluar nga dhjetori.
Kryeministrja britanike Theresa May, ndërsa largohej nga Brukseli tha se, kishte ende shumë rrugë për të bërë, por ajo ishte optimiste. E ashtuquajtura faturë e divorcit mbetet pika kryesore që ndan palët në bisedime.
Theresa May nuk pranoi të thoshte, në një konferencë për shtyp pas samitit, çfarë ishte e gatshme Britania të paguante, duke thënë se kjo do të shihej në marrëveshjen përfundimtare me BE-në.
“Unë e kam thënë se do të nderojmë angazhimet që kemi pasur gjatë anëtarësimit tonë. Por, këto angazhime do të analizohen rresht më rresht, pasi kjo është ajo që taksapaguesit britanikë presin që qeveria e tyre të bëjë”, tha May.
Britania e Madhe pritet të dalë nga BE-ja në mars të vitit 2019, pas referendumit të vitit të kaluar. Ajo shpresonte të kalohej në fazën e dytë të negociatave, që mbulojnë marrëveshjet e ardhshme të tregtisë, pas samitit të kësaj jave, por krerët e BE-së kanë dalë zyrtarisht në përfundimin se nuk është arritur progres i mjaftueshëm për çështjen e të drejtave të qytetarëve, detyrimet financiare të Britanisë dhe kufirin në Irlandën e Veriut.
Top Channel