Ish-presidentët Barack Obama dhe George W. Bush kanë shprehur shqetësim mbi klimën aktuale politike në Shtetet e Bashkuara, e ndonëse nuk e përmendën drejtpërdrejt shefin aktual të administratës amerikane, ishte fare e qartë se kujt i referoheshin komentet e tyre fshikulluese.
Obama i nxiti amerikanët të refuzojnë atë që e cilësoi “një politikë frike dhe përçarjeje”. Bush nga ana tjetër kritikoi bullizmin dhe paragjykimin në jetën publike. Që të dy folën në vende të ndryshme dhe asnjëri nuk e përmendi emrin e Donald Trump.
“Nuk mund të kemi të njëjtat politika të vjetra të ndasive që datojnë me shekuj përpara. Një pjesë të asaj politike që shohim sot, ne mendonim se e kishim vënë në gjumë prej kohësh. Është shekulli XXI ky dhe jo ai i XIX-ti”, tha Obama.
“Fanatizmi duket sikur është përforcuar. Politika jonë ngjan më e cënueshme tani ndaj teorive të konspiracionit dhe fabrikimeve të plota. Ka disa sinjale se, edhe vet intensiteti i mbështetjes për demokracinë është zbehur, sidomos mes të rinjve. Argumentet kthehen lehtësisht në armiqësi, ndërsa kemi parë të harrohet energjia që emigracioni i ka sjellë përherë Amerikës”, tha Bush.
Që nga përfundimi i mandatit të tij, Bush nuk është shfaqur shpesh në publik dhe ka preferuar të mos bëjë komente publike mbi njeriun që e pasoi në krye të Shtëpisë së Bardhë, Obama. Vitin e kaluar, ai mbështeti kandidaturën e të vëllait, ish-guvernatorit të Floridës, Jeb Bush, në zgjedhjet paraprake për kandidatin republikan në presidencialet e fituara më pas nga Trump.
Manjati njujorkez, i cili ka qenë kritik i të dy paraardhësve të vet, deri tani nuk i është përgjigjur deklaratës së fundit të tyre. Tradicionalisht, ish-presidentët në Amerikë i qëndrojnë larg skenës politike pas largimit nga Zyra Ovale, por në situatën aktuale, normat dhe standardet e sjelljes, që dikur dukeshin si të gdhendura në gur, tani jo rrallëherë lihen mënjanë.
Top Channel