Konçesionet, FMN detyron qeverinë të bëjë transparencën

20/10/2017 19:50

Vlera totale e konçesioneve të dhëna nga shteti shqiptar tek privatët ka arritur në rreth 4.2 miliardë euro. Pas kërkesave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka bërë për herë të parë publike përmasat e industrisë së konçesioneve.

Rezultatet janë bërë pjesë e projektligjit të buxhetit 2018, përkatësisht në nenin 19 që thotë: “Tavani për vlerën totale të kontratave për të gjitha PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, është 36.3% e PBB-së”.

Sipas burimeve nga Financat, shifra prej 36.3 për qind e prodhimit paraqet stokun e të gjitha konçesioneve. Ajo përmbledh vlerën totale të investimeve për hidrocentralet, atë të kontratave të shërbimeve për të gjithë kohëzgjatjen e tyre, si dhe vlerën totale të veprave të tjera publike si rrugë apo ujësjellësa, të cilat janë dhënë me konçesion.

Qeveria nuk e saktëson se c’pjesë përbën risk fiskal, që duhet të paguhet nga buxheti në të gjithë jetëgjatësinë e konçesioneve. Ajo që saktësohet është shuma që do të paguajë qeveria për konçesionarët vitin e ardhshëm.

Sipas draftit, në 2018-n buxheti do të paguajë rreth 60 milionë euro për konçesionet. Kjo është sa 2 për qind e të ardhurave vjetore të buxhetit, ndërkohë që ligji i lejon hapsirë qeverisë që të paguajë deri në 5% të të ardhurave për shërbimin e konçesioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA