Tillerson sulmon Kinën: Politika grabitqare ekonomike

19/10/2017 09:57

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson sulmoi Kinën për përmbysjen e rendit global, siç tha, minimin e sovranitetit të fqinjëve të saj dhe për rolin e një aktori të papërgjegjshëm ndërkombëtar me politika grabitqare ekonomike. Komentet i bëri gjatë një fjalimi në qendrën strategjike e të studimeve ndërkombëtare mbi lidhjet amerikano-indiane.

“Kina është sjellë në mënyrë shumë më pak të përgjegjshme se India, duke sfiduar rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare. Aksionet provokuese të saj në Detin e Kinës jugore sfidojnë drejtpërdrejtë ligjin dhe rregullat ndërkombëtare të mbështetura nga SHBA dhe India”, tha Rex Tillerson.

Edhe pse theksoi se ishin të interesuar për një marrëdhënie konstruktive me Pekinin, shefi i diplomacisë amerikane shtoi se nuk do të mbyllnin një sy përballë veprimeve të padrejta të këtij vendi.

Deklaratat vijnë në një kohë ndërsa Tillerson përpiqet të bindë Pekinin të ushtrojë më shumë trysni ndaj Koresë së Veriut, e cila vazhdon të ndjekë ambiciet bërthamore dhe qëllimet për të sulmuar territorin amerikan.

Fjalimi i sekretarit të Shtetit gjatë së cilit u prek edhe çështja e Rohingiave në Birmani, mbahet gjithashtu 3 javë para se presidenti Trump të bëjë udhëtimin e tij të parë në Kinë.

Gjatë Kongresit të Partisë Komuniste, ku presidenti Xi Jinping pritet të konsolidojë pushtetin, ky i fundit deklaroi se Kina duhet të zërë skenën kryesore në botë dhe se politikat e saj socialiste duhet të ndiqen edhe nga vende të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA