Skënderbeu zhvillon një ndeshje të shkëlqyer në ‘Elbasan Arena’, në një atmosferë fantastike të krijuar në shkallët e stadiumit, por nuk arrin dot të dërgojë topin në rrjetë. Korçarët dëshmuan edhe një herë se nuk kanë arritur kot deri këtu dhe se munden të përballen si të barabartë me kundërshtarë të këtij niveli.
Ndeshja filloi mjaft mirë për Skënderbeun, që vuri nën presion kundërshtarët, por nuk arriti të kërcënojë rrezikshëm portën e tyre.
Pjesa e parë u karakterizua nga entuziazmi i korçarëve, por që nuk arritën t’i afrohen rrezikshëm portës së serbëve.
Mundësinë më të mirë e pati Adeneyi, por shpërdoroi në tentativën për të dribluar një kundërshtar. Nga ana tjetër, serbët mbroheshin mirë dhe bënin presing, duke u munduar të dalin në kundërsulme të rrezikshme. Duhet theksuar se Skënderbeu bëri edhe një zëvendësim, pasi Radas nuk mundi të vijojë më tej lojën, dhe i la vendin Fidan Alitit, në minutën e 32-të.
Pjesa e dytë foli tërësisht për Skënderbeun, që luajti me mjaft grintë dhe krijoi disa mundësi shënimi. Vlen të theksohet edhe mbështetja e jashtëzakonshme e publikut, që gjeneronte forcë te futbollistët korçarë. Djemtë e Ilir Dajës patën disa raste të mira me Soëe, Lilajn dhe Alitin, të cilët nuk ia dolën të gjejnë rrjetën.
Nga ana tjetër, serbët tentuan disa herë të dalin me kundërsulme, por nuk arritën të vënë në provë aftësitë e portierit Shehi, deri në minutat e fundit, kur durrsaku shpëton dy herë portën, nga gola të sigurt. Në minutat shtesë krijohet një tension i panevojshëm nga ana e serbëve, që kalohet me ndëshkim me kartonë të verdhë, nga ana e kryesorit polak.
Ndonëse dy skuadrat morën vetëm nga një pikë në këtë takim, barazimi në Kiev mes Dinamos vendase dhe Young Boys-it, la gjithçka të hapur sa i përket llogarive të kualifikimit, në grupin B.
Top Channel