Qyteza italiane, deri në 2.000 euro për t’u populluar

19/10/2017 23:22

Kryebashkiaku i qytezës italiane Candela ka gjetur një zgjidhje praktike për reduktimin e numrit të popullatës: paguan njerëz që të bëhen banorë.

Nicola Gatta dëshiron që qyteza e vogël mesjetare në Puglia të rifitojë shkëlqimin që kishte në vitet ’90, kur më shumë se 8.000 vetë banonin aty. Sot qyteza ka vetëm 2.700 banorë. Kështu, për të rikthyer madhështinë e humbur të qytetit, kryebashkiaku ofron deri në 2.000 euro për të inkurajuar njerëzit të zhvendosen atje.

“Unë punoj çdo ditë me pasion për t’i kthyer Candelës shkëlqimin e saj të dikurshëm. Deri në vitet ’60 vizitorët e quanin atë ‘Napoli i vogël’. Kjo për shkak të rrugicave të mbushura me dyqane, turistë, tregtarë dhe shitës të zhurmshëm”, tha Nicola Gatta, kryebashkiak.

Këto ditë, zhurma napolitane është zëvendësuar nga heshtja e kodrinave përreth dhe pyjeve të gjelbra. Kishat që qëndronin në çdo cep rruge mbushen vetëm kur festohet ndonjë lindje e rrallë, apo në ndonjë rast funerali për banorët e moshuar. Të rinjtë largohen për të kërkuar një të ardhme më të mirë, diku tjetër, duke lënë pas të vjetrit.

Sidoqoftë, kryebashkiaku është në një kryqëzatë të dëshpëruar për ta shpëtuar qytezën nga vdekja. Ka dhjetëra shtëpi të bardha, me tarraca panoramike dhe ballkone që janë të zbrazura, në pritje të banorëve të rinj.

Për të joshur banorët e rinj, mes tyre edhe të huaj, Këshilli lokal ka hapur arkat, me shpresën se do të rizgjojë qytetin. Për çdo beqar që vendos të vijë në qytet jepen 800 euro; 1.200 për çifte; 1.500 për familje me 3 pjesëtarë dhe mbi 2.000 euro për familje me 4 apo 5 pjesëtarë. Përveç këtyre pagesave ofrohen edhe një sërë favoresh të tjera në taksa, kujdes shëndetësor apo kujdesin e fëmijëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA