“USS Ronald Reagan”, një luftanije bërthamore 100 mijë tonëshe, ka patrulluar në ujërat lindore të gadishullit Korean, duke treguar fuqinë ajrore dhe detare amerikane, që ka si qëllim të paralajmërojë Korenë e Veriut nga ndonjë aksion ushtarak.
Luftanija më e madhe e Marinës amerikane në Azi, me një ekuipazh prej 5.000 marinarësh, ka lançuar thuajse 90 avionë ushtarakë “F-18” nga kuverta e saj, përballë ishujve koreano-jugorë.
Ajo po kryen stërvitje të përbashkëta me Marinën koreano-jugore, stërvitje në të cilat janë përfshirë 40 luftanije të dislokuara në një linjë, që nis që nga deti i Verdhë në perëndim të gadishullit, deri në detin e Japonisë, e ka si qëllim të dëshmojë aftësinë për të mbrojtur Korenë e Jugut.
Prania e “USS Ronald Reagan” në rajon, e kombinuar me presionin ushtarak të kohëve të fundit nga Uashingtoni mbi Penianin, përfshirë fluturimet e bombarduesve strategjikë “B1-B” mbi gadishullin Korean, vijnë para vizitës së parë zyrtare të presidentit Donald Trump në Azi, që do të nisë me Japoninë më 5 nëntor, e do të pasojë me ndalesën në Korenë e Jugut.
Top Channel