E famshmja Marina Bay Sands, në Singapor, ka hapur dyert për kabarenë franceze “Crazy Horse”, e njohur për valltaret femra gjysmë të zhveshura, një dekadë pasi një klub tjetër kishte dështuar në qytetin-shtet konservator të Azisë Juglindore.
Teatri kabare “Crazy Horse”, (kali i çmendur), një institucion parizien për 66 vite, hapi një klub në Singapor në vitin 2005, kur qyteti po përpiqej të përcaktonte një imazh të ri të tij, si pjesë e një rritjeje të fluksit të turistëve.
Teatri mbylli dyert dy vite më pas, për shkak të shitjeve të pakta të biletave. Këtë javë, kabareja u rikthye me “Forever Crazy”, një përmbledhje e rutinave më të famshme të “Crazy Horse”, nga 6 dekadat e shkuara, të luajtura së fundmi në Australi.
“Është shfaqja origjinale, ashtu siç e performuam në Australi për 9 javë. Nuk do të ndryshojmë asgjë”, tha Mark Brady, drejtuesi i turit parizien të “Crazy Horse”.
Sipas tij, shfaqja e Singaporit nuk ishte censuruar nga autoritetet. Pas premierës së të enjtes, pjesëtarë të publikut u shprehën entuziastë dhe disa thanë madje se nuk u kishte rënë në sy aspak nudizmi. Të tjerë nënvizuan se kjo tregonte se Singapori po bëhej më mendjehapur.
Arti, argëtimi apo forma të tjera të medieve funksionojnë nën rregulla të ashpra në Singapor, pasi qeveria thotë se kjo është e nevojshme për të ruajtur stabilitetin shoqëror. Vitin e kaluar, një prekje buzë më buzë mes dy personave të të njëjtit seks u hoq nga muzikali “Të mjerët”, pas ankesave të publikut.
Seksi mes meshkujve është i paligjshëm në Singapor. Spektakli “Forever Crazy” do të mbahet për 12 net në Singapor, para se të zhvendoset në Macau. Ai mund të ndiqet vetëm nga mosha 18 vjeç e sipër.
Top Channel