“Brexit”, Merkel i jep shpresa Britanisë për negociatat

19/10/2017 23:20

Angela Merkel deklaroi se ka shenja inkurajuese progresi në negociatat për “Brexit”, duke sugjeruar se bisedimet për tregtinë me Britaninë mund të nisin në dhjetor.

Kancelarja gjermane foli para takimit të udhëheqësve të BE-së, ku ata priten që t’i bëjnë thirrje Londrës të përpiqet më shumë për të zgjidhur ngërçin e negociatave.

Sipas analistëve, kjo është një formë refuzimi i butë i kërkesës britanike për të nisur bisedimet për tregtinë, pavarësisht progresit të munguar.

“Do të diskutojmë çështjen e largimit britanik. Kemi progres, por jo mjaftueshëm për të nisur fazën e dytë. Por është progres inkurajues dhe puna do të vazhdojë për të nisur fazën e dytë në dhjetor”, tha Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Gjatë takimit të ditës së premte, ku Britania e Madhe nuk do të jetë e pranishme, 27 krerët e BE-së pritet gjerësisht të thonë se progresi i munguar nuk lejon kalimin në fazën tjetër të bisedimeve.

Tre çështje kryesore pa rakordim janë “të drejtat e qytetarëve”, “kufiri me Irlandën e Veriut” dhe “fatura e divorcit” që duhet të paguajë Britania.

Theresa May tha së fundmi se është urgjente që BE-ja të zgjidhë çështjen e qytetarëve, ndërsa Brukseli duket më këmbëngulës në dy çështjet e tjera, atë të kufirir irlandez dhe sidomos detyrimet financiare të Britanisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA